Në kartëmonedhën e re 5 dollarëshe të Australisë nuk do të shfaqet mbreti Charles

E Enjte 2 Shkurt 2023, 10:21
TiranaPost
Kartëmonedha e re 5 dollarëshe e Australisë nuk do të shfaqë mbretin Charles të Britanisë, por një dizajn të ri që nderon "kulturën dhe historinë e australianëve të parë", njoftoi të enjten banka e saj qendrore.
Dizajni do të zëvendësojë portretin e Mbretëreshës Elizabeth II, tha në një deklaratë Banka e Rezervës së Australisë (RBA), duke shtuar se vendimi u mor pas konsultimit me qeverinë australiane.
Australianët e parë i referohet popullsisë indigjene të vendit, të përbërë nga aborigjenë dhe banorë të ishullit Torres. Së bashku ata përbëjnë rreth 3.2% të popullsisë së vendit prej 25 milionë banorësh.
Mbreti Charles III do të vazhdojë të shfaqet në monedha, të cilat pritet të prodhohen në gjysmën e dytë të këtij viti.
Tiranapost.al