Lajme nga Bota

Nancy Pelosi viziton Tajvanin. Kina paralajmëron pasoja të rënda

Nancy Pelosi viziton Tajvanin. Kina paralajmëron pasoja të rënda

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi ka vizituar Tajvanin ditën e sotme pavarësisht kërcënimeve nga Pekini për pasoja të rënda, duke u bërë zyrtarja më e lartë amerikane në 25 vjet që viziton ishullin e vetëqeverisur të pretenduar nga Kina.

Vizita e Pelosit ka shkaktuar tension të shtuar mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, që do të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme dhe i sheh vizitat e zyrtarëve të huaj si njohje të sovranitetit të ishullit.

Kina kishte paralajmëruar për pasoja nëse Pelosi vazhdonte me udhëtimin. Ministria e Mbrojtjes e Kinës tha të martën mbrëma se do të kryejë një sërë operacionesh ushtarake për të "mbrojtur sovranitetin kombëtar" në përgjigje të vizitës së Pelosit.

Pelosi tha në një deklaratë menjëherë pas mbërritjes së saj se vizita e delegacionit amerikan nderon angazhimin e palëkundur të Amerikës për të mbështetur demokracinë e gjallë të Tajvanit.

Kina, e cila e konsideron Tajvanin si një provincë renegate ka paralajmëruar se ushtria e saj nuk do të rrijë kurrë duarkryq.

Kremlini gjithashtu publikoi ​​një deklaratë ku dënoi vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë Nancy Pelosi, duke theksuar se Kina ka çdo të drejtë të mbrojë interesat e saj.