Lajme nga Bota

Ministri francez: Ukrainës i duhen 15-20 vjet për t`u bërë pjesë e BE-së

Ministri francez: Ukrainës i duhen 15-20 vjet për t`u bërë

“Përpjekja e Ukrainës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian do të kërkonte të paktën 15 ose 20 vjet”, kështu u shpreh ministri i Çështjeve Evropiane të Francës, Clement Beaune, teksa promovonte propozimin alternativ të Presidentit Emmanuel Macron për krijimin e një 'bashkësie të re politike evropiane', duke përfshirë Ukrainën.

“Nëse themi se Ukraina do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian për 6 muaj, një vit, dy vjet, ne gënjejmë. Nuk është e vërtetë. Ndoshta do duhen 15 ose 20 vjet. Duhet shumë kohë dhe nuk dua që ne të shesim iluzione dhe gënjeshtra. Nëse u themi ukrainasve 'mirë se erdhët në Bashkimin Evropian, por ju nuk e keni lexuar plotësisht kontratën, duhen të paktën 15 vjet të hyni në të’, do zhgënjenim një brez të tërë ukrainas”, tha Beaune.

Ministri francez vazhdoi të thoshte se propozimi i fundit i Macron për të krijuar një komunitet të ri politik evropian jashtë BE-së, përfshirë Ukrainën, nuk ishte një alternativë e keqe dhe nuk e pengonte procesin e anëtarësimit.

“Është një projekt plotësues i Bashkimit Evropian, i cili mund të ofrojë një projekt konkret politik për vendet që nuk janë në zemër të Bashkimit Evropian, por që duan të afrohen me Bashkimin”, tha ministri.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një fjalim të shtunën se çdo alternativë ndaj ofertës së Ukrainës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian do të ishte një 'kompromis' me Rusinë, në përgjigje të projektit të propozuar nga Macron.