Lajme nga Bota

Mario Vargas Llosa: Për yjet dhe Zotin vetmitar që krijoi universin

Çfarë ndodh kur një çmim Nobel shkon në Observatorin e Ishujve Kanarie për të vrojtuar hapësirën pa kohë e kufij të universit? Asgjë tjetër, përveçse një reflektim brilant për astronominë, fenë dhe letërsinë. “E kështu dola të shoh yjet” titullohet artikulli i Mario Vargas Llosas, me vargun që huazohet nga Komedia Hyjnore e Dantes.

Mario Vargas Llosa: Për yjet dhe Zotin vetmitar që krijoi universin

Nga Mario Vargas Llosa/ Pika më e lartë e La Palmas në Ishujt Kanarie është Roque de los Muchachos, rreth 2400 metra mbi nivelin e detit. Është një kreshtë shkëmbore që e parë nga larg me pak fantazi, duket sikur vizaton figura njerëzore. Këtu thithet ajër i kulluar si në Arequipa, toka ku kam lindur, dhe është shumë bukur teksa nën këmbë vështron një tapet resh që zgjerohet si deti në të gjitha drejtimet deri në vijën e horizontit. Por ndoshta gjëja më piktoreske janë këtë korba miqësor që pozojnë për fotot e turistëve në këmbim të një grusht thërrimesh buke.

Mesa duket ky vend ka atmosferën më të tejdukshme të Europës e ndoshta të të gjithë botës. Kjo shpjegon edhe ekzistencën e Observatorit të përbërë nga teleskopë gjigantë që janë ndërtuar në këtë vend nga shtete të ndryshme e që prej mesit të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar tërheq astronomët e të gjithë botës. Janë qenie të çuditshme që flenë ditën, punojnë natën dhe si vampirët veprojnë në errësirë, ndërsa drita që i drejton nuk është e kësaj bote, por një dritë atje lart, shumë lart, ajo që kanë emetuar miliona vite më parë yjet e lëvizshme në universin e pafund. Nëse bukuria e këtij ishulli, një ndër më të vegjlit e Kanarieve, me pyjet, plazhet, malet dhe parqet natyrale është mjaft e madhe gjatë ditës, mrekullia e vërtetë nis me rënien e muzgut kur qielli nis të popullohet avash avash me një mori yjesh, konstelacionesh, planetesh, dritash që shkëlqejnë, që ndizen e fiken dhe si në Alefin borgesian, njeriu ka vetëdijen e drithëruese se mu aty mbi kokë po sheh pafundësinë e universit. Është akoma më spektakolare kur me ndihmën e lenteve të teleskopëve nis të udhëtosh në hapësirat yjore dhe kur të afrohesh në ato më të fortat ke ndjesinë se je një astronaut që po bën xhiro në qiellin e rrudhur të Hënës, mes kratereve të stërmëdha, vepra të aeroliteve që e kanë bombarduar gjatë ekzistencës miliona vjeçare. A nuk të paralizon puna në një fushë që përfshin pafundësinë e pafundme? Mendoj se gjatë dy ditëve që sapo kalova atje kam mësuar më shumë gjëra se në gjitha udhëtimet së bashku që kam bërë gjatë jetës sime. Për shembull mësova se asgjë nuk është më e ngjashme me letërsinë se sa astronomia sepse në të dyja imagjinata është po aq e rëndësishme sa edhe dija dhe pa të parën, e dyta nuk të çon askund. Astronomët e Observatorit e mbi të gjitha drejtori i tij, profesor Rafael Rebolo Lopez, të armatosur me durim dhe mençuri, i japin përgjigje të rrjedhshme gjithë pyetjeve të mia, pyetje të cilat tek unë krijojnë të tjera pyetjeve e kështu biseda rrëzon murin e dobët që shpesh herë ndan (dhe ngatërron) fizikën me metafizikën në këtë disiplinë. A nuk të paralizon puna në një fushë që përfshin pafundësinë e pafundme, atë kohë pa kohë që është përjetësia? Ndoshta po. Por për ta evituar këtë paralizë ka lindur teoria e Big Bang-ut që vendos një pikë nisjeje – një shpërthim lënde, ndodhur më shumë se trembëdhjetë miliardë vite më parë dhe që vazhdon zgjerimin e pafundëm në hapësirën pa kufij – e megjithë kontrastin e fortë mes dy koncepteve, i lejon shkencëtarët të punojnë me më pak paqartësi. Po nëse zbulohet se teoria e Big Bang-ut është në një farë pike poperianisht “e rreme”? Do të dalë një tjetër teori që do të bashkojë gjithë punën e bërë deri më tash e do të lejojë avancimin në një rrugë tjetër. Nuk ka ndodhur kështu në të gjitha shkencat, pa përjashtim? A kanë arritur astronomët të gjejnë jetë, ose të paktën shenja jete, në ndonjë yll tjetër të universit? Jo, në asnjë prej tyre. Por kjo nuk të lejon të thuash me siguri se vetëm Toka e ka një privilegj të tillë, sepse shkencëtarët kanë gjetur në yje të tjerë në pika të ndryshme të hapësirës, thuajse të gjithë elementët e nevojshëm për jetën. Kështu që ky zbulim, ai i të pasurit ca kushërinj në ndonjë cep të humbur të universit, mund të bëhet në ndonjë moment të caktuar në të ardhmen. Kështu do të dimë nëse ata humanoidë afërditas apo marsianë i ngjajnë paksa atyre të krijuar nga fantashkenca apo janë më origjinalë nga sa i ka krijuar imagjinata letrare! Sa mundësi ka që planeti i vogël Tokë të zhduket fare pas përplasjes me një meteor gjigant, mijëra herë më të madh se ai që ra në Siberi pak a shumë një shekull më parë duke shkatërruar një territor të stërmadh? Shumë mundësi nëse marrim në konsideratë faktin se sa incidente hapësinore ndodhin nga kasaphanat që shkaktohen prej devijimit nga orbitat e tyre ose nga mungesa e orbitave në trajektoret e formacioneve paksa më të gjalla seç duhet; e pak mundësi nëse marrim në konsideratë faktin se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e gjatë të globit tokësor.

Hipotetikisht është e qartë se kjo gjë mund të ndodhë nesër duke e shndërruar çdo gjë rreth nesh në hiçgjë prej nga lindëm miliona vite më parë. Shikuar nga perspektiva e yjeve, sa idiote duken të gjitha luftërat e pafundme dhe gjithë dhuna që ka karakterizuar historinë e njerëzimit! Pyes grupin që më rrethon se sa përqind e astronomëve janë besimtar dhe pas një shkëmbimi mendimesh, më përgjigjen se me shumë mundësi bëhet fjalë për njëzetë përqind. Të tjerët janë agnosticistë ose ateistë. Një prej këtyre miqve nxiton të deklarojë: “Unë jam besimtar”, dhe më pas shton: “Dhe ndihem shumë mirë kur përputh gjithë sa thotë feja ime me ato që shkenca zbulon apo përjashton.” Është e vërtetë ajo që thotë, nuk ka pikë dyshimi, dhe duhet të jetë e tillë edhe për atë pjesë të astronomëve në të cilët feja i bën rezistencë evidencave të përditshmërisë. Por kuptoj shumë mirë edhe pjesën tjetër të shkencëtarëve të cilët puna e përditshme i zhyt në dyshime dhe pasiguri në lidhje me idetë e përhapura fetare për qenien supreme që paska krijuar gjithë ato yje dhe çdo gjë tjetër që ekziston. Sepse këta zota që qeniet njerëzore kanë adhuruar dhe vazhdojnë të adhurojnë duken kaq të vegjël përballë këtij spektakli tronditës të miliarda e miliarda yjesh të përhapura në një hapësirë pa barriera, që mbështesin e tërheqin njëra-tjetrën, duke çliruar dritë ose duke e thithur atë, dhe aq të varfra duken arsyetimet fetare të shpikura për t’i dhënë shpjegim pyetjeve të pashpjegueshme: Si u bë e mundur e gjithë kjo? A mund të jetë prej rastësisë që pikërisht në gjithë këtë univers jeta filloi në këtë planet të vogël e pa dritë? Është pak a shumë bindëse se nuk ka qenë rastësia, por një qenie superiore me dije të pafundme, ndoshta i mërzitur nga vetmia e përjetshme, që krijoi këtë mrekulli të errët që është historia njerëzore? Përgjigjet më të mira, më të bukurat dhe fantastiket, me shumë mundësi nuk gjenden as në yje dhe as në fe, por në letërsi./Shkrimi i Mario Vargas Llosas, Nobel në letërsi për vitin 2010, është botuar në të përditshmen spanjolle El Pais. Shqipëruar për “Blogu i rërës” nga Erjon Uka. Rikthyer sot, në 14 prill 2025 kur autori Vargas Llosa u nda nga jeta.