Lajme nga Bota

Macron dhe Le Pen rishikojnë strategjitë për përballjen presidenciale pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale

Macron dhe Le Pen rishikojnë strategjitë për përballjen

Partitë e vjetra të së majtës dhe të djathtës me gjasa do të mbajnë kontrollin e pjesës më të madhe të rajoneve të Francës, pas zgjedhjeve lokale të ditës së djeshmeqë regjistruar mospjesëmarrje rekord. Edhe partia e presidentit Emmanuel Macron, si dhe e rivales së tij më të madhe për kreun e shtetit, Marine Le Pen nënperformuan dhe nuk arritën të shfrytëzojnë pjesëmarrjen e ulët për të shtuar prezencën dhe influencën e tyre në rajonet e vendit.

Partia Republikane dhe ajo socialiste janë renditur të parat në 6 nga 13 rajonet e vendit, duke regjistruar të djathtën e moderuar si forcën më të madhe në vend.

Megjithatë, vetë ky rezultat nuk përbën shkak për eufori për partinë e Sarkozy se mund të përsërisë një performancë të ngjashme në zgjedhjet presidenciale, teksa pjesëmarrja ka qenë vetëm 33%, ndërkohë që abstenimi ka qenë gati 80% për të rinjtë e moshës 18-24 vjeç, ku sipas sondazheve të opinionit publik, partia e Le Pen është më popullorja.

Ministri i Brendshëm, Gerard Darmanin ka thënë: “Abstenimi është mesazh. Populli francez na thotë ne politikanëve se nuk kanë besim tek ne.”

Performanca e dobët ka bërë që edhe Macron, edhe Le Pen të rishikojnë strategjitë e tyre për përballjen presidenciale të vitit tjetër. “En Marche”, e cila në vitin 2017 arriti të fitonte duke qenë një parti përtej së majtës dhe së djathtës, tashmë ka humbur mbështetjen tek shtresa e mesme, tek e cila mbështetej më së shumti dhe tanimë kërkon që të nxisë rritjen e mbështetjes duke marrë edhe vota që tradicionalisht i takonin Partisë Socialiste dhe kjo mund të arrihet vetëm duke promovuar mesazhet e internacionalizmit dhe ekologjisë.

Nga ana e saj, partia “Manifestimi Nacional” e Le Pen ka mbledhur vetëm 19% të votave, rreth 8% më pak nga sa parashikonin sondazhet e opinionit publik dhe 9% më pak se në zgjedhjet rajonale të vitit 2015. Besohet se shkaku i rezultatit të dobët ka qenë niveli i lartë i mospjesëmarrjes mes individëve me të ardhura të ulëta, 73% e të cilëve votojnë Le Pen sipas kompanisë së sondazheve “Ipsos”.

“Më zhgënjen kjo katastrofë civile që ka deformuar realitetin elektioral të vendit duke dhënë një imazh të gabuar të forcave politike dominante mes popullit. Nëse doni që të ketë ndryshim, dilni dhe votoni”- ka thënë Le Pen pas rezultatit.

Sipas analistëve të politikës franceze, Le Pen pasi ka siguruar mbështetjen e popullsisë rurale dhe me të ardhura të ulëta që historikisht ka mbështetur partitë e majta dhe komuniste, do të tentojë të bëhet forcë mazhoritare duke marrë vota që tradicionalisht shkonin tek Republikanët. Kjo do të arrihet me shtimin e retorikës për uljen e taksave dhe lirinë e sipërmarrjes, bashkangjitur politikave kombëtare.

Tiranapost.al