Lajme nga Bota

Kush është Osman Kavala, filantropisti për të cilin Erdogan shpalli ‘non grata’ edhe 10 ambasadorë vetëm pse firmosën për lirimin tij

Kush është Osman Kavala, filantropisti për të cilin Erdogan

Filantropisti dhe aktivisti turk Osman Kavala nuk është dënuar kurrë për një krim, megjithatë ai ndodhet në burg prej gati katër vitesh, pavarësisht vendimit të një gjykate të lartë evropiane.

Më 17 shtator, Këshilli i Evropës i dha Turqisë paralajmërimin përfundimtar për lirimin e sipërmarrësit 64-vjeçar, duke paralajmëruar se procedurat kundër Ankarasë, ndaj kësaj shkeljeje do të kryheshin deri në fund të nëntorit, nëse Kavala nuk do të lirohej nga burgu.

Por Turqia, deri më tani, nuk e ka pranur vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) të marrë më 10 dhjetor 2019, e cila deklaroi se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ishte shkelur dhe për këtë arsye urdhëroi që Kavala të lirohej menjëherë.

GJEDNJ arriti në përfundimin se arrestimi i Kavalës ishte bazuar në motive politike, pa asnjë provë të arsyeshme që mbështeste akuzat. Megjithatë, zyrtarët turq nuk e zbatuan vendimin dhe thanë se vendimi i GJEDNJ nuk ishte përfundimtar.

Dhe tani, disa vende po ushtrojnë presion mbi Turqinë.

Deklarata e ambasadorëve

Të hënën, disa ambasadorë si ai i: Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Suedisë dhe SHBA-së kërkuan një zgjidhje 'të drejtë dhe të shpejtë' të çështjes së Kavalës.

Në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët e 10 vendeve i bënë thirrje Turqisë të ndiqte vendimet e Këshillit të Evropës, një organ i të drejtave të njeriut të cilit Turqia iu bashkua në 1950-ës. “Vonesat e vazhdueshme në gjyqin e tij ... hodhën një hije mbi respektin për demokracinë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor turk”, thuhet në deklaratë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi ashpër veprimin e ambasadorëve, duke kërcënuar se do t'i dëbonte ata nga vendi dhe i hapi i parë ishte shpallja e tyre “non grata”.

“I thashë ministrit tonë të jashtëm: Ne nuk mund të kemi luksin për t`i mbajtur këta në vendin tonë. Doni t`i jepni Turqisë një mësim? Kush mendoni se jeni?”, deklaronte ditën e enjte Erdogan. Ambasadorët u thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme përpara deklaratës së Erdogan dhe u akuzuan për 'politizimin e çështjes së Kavalës'.

Për çfarë akuzohet Kavala?

Kavala akuzohet për financimin e protestave mbarëkombëtare të Parkut Gezi në vitin 2013 dhe për përfshirje të dyshuar në një tentative për grusht shteti në vitin 2016.

Ai u ndalua më 18 tetor 2017, pas një takimi në Institutin Gjerman Goethe në lidhje me një projekt të përbashkët me Anadolu Kultur, një organizatë jofitimprurëse në Stamboll që mbështet projekte kulturore dhe sociale.

Pas dy javësh në paraburgim, Kavala u arrestua më 1 nëntor 2017, në lidhje me protestat e Parkut Gezi me akuzat e 'përpjekjes për të përmbysur rendin kushtetues' dhe 'përpjekje për të përmbysur qeverinë'. Ai u dërgua më pas në burgun e sigurisë së lartë Silivri, jashtë Stambollit.

U lirua nga akuzat në shkurt të 2020-ës, por një urdhër arresti i ri u lëshua kundër tij vetëm disa orë më vonë, këtë herë për një rast të veçantë që e akuzonte atë se ishte përfshirë në përpjekjen për grusht shteti të 15 qershorit të 2016-ës.

Gati një muaj më vonë, ai u lirua edhe nga kjo akuzë, por u mbajt në paraburgim me akuzën e 'spiunazhit politik ose ushtarak'.

Kush është Osman Kavala, filantropisti për të cilin Erdogan
Osman Kavala

U bënë bashkë disa prova

Në shtator 2020, Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit përgatiti një aktakuzë të re, duke e akuzuar Kavalën për bashkëpunim me Henri Barkey, një studiues i shquar i Turqisë në Shtetet e Bashkuara, dhe se 'kishte marrë një rol në përpjekjen për grusht shteti'.

Në janar 2021, lirimi i tij në gjyqin e ‘Gezi Park’ u anulua. Në seancën e dytë të gjyqit të Osman Kavalës për akuzat e grushtit të shtetit dhe spiunazhit, të mbajtur më 5 shkurt 2021, gjykata vendosi bashkimin e kësaj çështjeje me gjyqin e Parkut Gezi dhe urdhëroi vazhdimin e masës së ndalimit të Kavalës.

Më 28 korrik 2021, çështja Gezi u bashkua me gjykimin e çështjes Carsi, në të cilën 35 anëtarë të grupit të tifozëve të futbollit Besiktas Carsi dolën në rigjykim për dyshimin se 'organizuan një komplot kundër qeverisë gjatë protestave të Parkut Gezi'. Gjykata caktoi datën 26 nëntor 2021, si datë për seancën e radhës.

Avokatët e Kavalës kanë vënë në dukje se aktakuza e shtatorit 2020 nuk ishte më shumë se një trillim dhe aspak i bazuar në ndonjë provë konkrete. Organizatat e të drejtave të njeriut në të gjithë botën kanë kritikuar ashpër arrestimin e Kavalës dhe thanë se akuzat janë politike.

Akuza edhe mbi gruan e tij

Erdogan ka ngritur publikisht akuza edhe ndaj gruas së Kavalas, Ayse Bugra, pedagoge. Ajo u akuzua për nxitje të protestave të studentëve. Ayse Bugra u cilësua si provokatore, ndërsa bashkëshorti i saj si përfaqësues i Soros në Turqi.

Kush është Osman Kavala, filantropisti për të cilin Erdogan
Ayse Bugra
Kush është Osman Kavala, filantropisti për të cilin Erdogan
Ayse Bugra

Kush është Osman Kavala?

Kavala është një nga figurat më të shquara të shoqërisë civile në Turqi. Biznesmeni ka kontribuar në krijimin e disa kompanive botuese në Turqi që nga fillimi i viteve 1980, duke vazhduar të mbështesë shumë organizata të shoqërisë civile një dekadë më vonë.

Në vitin 2002, ai themeloi Anadolu Kultur. Objektivat e organizatës përfshinin mundësimin e prodhimit dhe promovimit të arteve dhe kulturës në Turqi, mbështetjen e nismave vendore, theksimin e diversitetit dhe të drejtave kulturore dhe forcimin e bashkëpunimeve vendore dhe ndërkombëtare.