Lajme nga Bota

Arkitekt edhe i Tiranës, Boeri flet si do i shndërrojë qytetet italiane në xhungla urbane

Arkitekt edhe i Tiranës, Boeri flet si do i shndërrojë qytetet

“Për të luftuar ndryshimet klimatike, ne duhet të mbjellim pemë”. Neurobiologu Stefano Mancuso sot ndan një pjesë të punës së tij me Stefano Boeri-n (arkitekt i biodiversitetit urban. Dy mendimtarë të mëdhenj që kanë të përbashkët dashurinë për bimët. Motoja e tyre është: 'Një pemë për të shpëtuar botën'. Kanë krijuar “Fondacionin për të ardhmen e qyteteve” i cili do të ketë për detyrë të identifikojë mjetet për ta bërë të qëndrueshëm mjedisin e qendrave të banuara. Fondacioni lindi edhe më mbështetjen e Kryeministrit dhe Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik, me Stefano Boeri-n si president i fondacionit dhe Stefano Mancuso-s si drejtues shkencor.

Correire della Sera intervistoi të dy mendimtarët dhe aktivistët për më shumë detaje mbi projektin.

Nga Muri i Madh i Gjelbër i Qyteteve deri në themelimin e Fondacionit. Si arritët deri këtu?

Mancuso: “E nisëm udhëtimin vite më parë kur u bëmë i vetëdijshëm se ajo që po ndodh në nivel planetar, nga pikëpamja e ngrohjes globale, dhe rrjedhimisht e rritjes së dioksidit të karbonit në atmosferë, mund të kundërshtohej vetëm nëse do të kishim gati një fushatë të madhe për të ripyllëzuar planetin. Në fakt, të gjitha politikat e reduktimit të dioksidit të karbonit janë thelbësore dhe ne duhet të vazhdojmë t'i mbështesim ato, por ato kanë pak sukses. Më lejoni të shpjegoj: pavarësisht gjithçkaje që po bëjmë për të ulur sasinë e dioksidit të karbonit, ai vazhdon të rritet vit pas viti. Dhe më pas ne imagjinuam se do të duhej të punonim në anën tjetër dhe të bënim gjithçka të mundshme për të rithithur dioksidin e karbonit të prodhuar. Vetëm pemët mund ta bëjnë këtë. Prej aty nisi rrugëtimi që na shtyu të flasim për pyllëzimin urban”.

Boeri: “Qytetet prodhojnë rreth 80% të dioksidit të karbonit që akumulohet në atmosferë. Qytetet e para, viktima të këtij fenomeni po ndihen. Mjafton të themi se shumë prej tyre, veçanërisht ato bregdetare, rrezikojnë të zhduken për shkak të përmbytjeve dhe rritjes së oqeaneve. Tani ka ardhur koha për që qytetet të bëhen protagonistë të një fushate të madhe për të reduktuar efektet e ngrohjes globale. Pyllëzimi, së bashku me energjitë e rinovueshme janë zgjidhja. Dhe ka forma të ndryshme: nga pyllëzimi aktual, tek mundësia e ndërhyrjes në sipërfaqet e qyteteve duke zëvendësuar zonat e asfaltuara me rreshta pemësh, duke mbuluar fasadat e ndërtesave për të mbërritur më pas në çati dhe për të ndërtuar livadhe dhe kopshte perimesh. Por sfida e madhe e vërtetë është lidhja e të gjitha këtyre sistemeve të gjelbra me njëri-tjetrin për të udhëtuar nëpër qytete dhe për t'i rrethuar ato me gjelbërim”.

Në praktikë, si mund të na shpëtojnë pemët?

Mancuso: “Aktualisht, nuk ka asgjë në planetin tokë të prodhuar nga njeriu që të jetë efikase ashtu si pemët në thithjen e dioksidit të karbonit. Deri më sot, për çdo euro të investuar në pemë, kemi një sasi të dioksidit të karbonit të hequr nga atmosfera që është një mijë herë më e lartë se ajo e çdo teknologjie njerëzore. Ajo që po bëjmë është t'ua bëjmë të qartë të gjithëve se përmes kësaj zgjidhjeje ne do përpiqemi, nuk është se do ta zgjidhim totalisht, por të paktën do zbusim ndjeshëm efektet e ngrohjes globale”.

Boeri: “Ajo që bëjnë pemët është një' teknologji' që njeriu ende nuk ka mundur ta përsërisë me të njëjtin efektivitet. Bimët, me hijezimin e tyre dhe mikroklimën që krijojnë, janë mjeti më pak i kushtueshëm dhe më demokratik edhe për të reduktuar efektet e valëve të të nxehtit që po përjetojmë në qytetet tona. Për më tepër, ato janë një terren pjellor i biodiversitetit bakterial që na ndihmon të zhvillojmë më mirë mbrojtjen tonë imune. Sfida kryesore është ajo e lidhjes: të sistemohen oazet e biodiversitetit, zonat ku ka pyllëzim të fortë dhe të krijohen korridore të gjelbërta që i lidhin ato. Kjo është ajo që po ndodh në Sahel: në vitin 2007 Bashkimi Afrikan nisi projektin për të krijuar një 'mur të gjelbër' 8000 kilometra për të ndaluar shkretëtirëzimin.

Ripyllëzimi i qyteteve nuk është aq i thjeshtë. Vetëm mendoni për qytetet dhe qendrat historike italiane. Pra, a është sfida juaj për t'i bërë ndërtesat ekzistuese të gjelbërta?

Mancuso: “Sigurisht që nuk është e mundur të ndërhyhet me një numër të madh pemësh në qendrat historike të mbrojtura, siç janë ato italianet për shembull, të cilat përfaqësojnë një moment të historisë sonë që nuk mund të ndryshohet në asnjë mënyrë. Por çdo qytet ka sasi të mëdha zonash që mund të përdoren. Me siguri edhe ato që kanë ndërtime, dhe kjo është pikërisht një nga detyrat e Fondacionit: të studiojë teknologjitë e reja për të vendosur pemë apo bimë, aty ku nuk ka aktualisht, për të demineralizuar qytetet. Le të marrim trafikun e makinave për shembull, kur ne kemi sisteme transporti më efikase - dhe kjo tashmë po ndodh në shumë qytete dhe me shpejtësi të madhe - atëherë ne mund të kursejmë shumë rrugë. Ato mund t`i shndërrojmë në parqe brenda qyteteve”.

Boeri: “Fondacioni për të Ardhmen e Qyteteve” ka tre fusha veprimi. Krahas kërkimit mbi bimët, jetën e tyre, shërbimet e ekosistemit të tyre, ne fokusohemi shumë tek trajnimi, për të ndërgjegjësuar të gjithë për ndihmën që pemët dhe në përgjithësi bota bimore mund të japin për mbijetesën tonë. Po aq të rëndësishme do të jenë edhe politikat dhe proceset pyjore në të gjitha qytetet italiane, duke filluar nga qytetet metropol, të cilat duhen mbështetur dhe stimuluar”.

Prandaj, roli i qyteteve po ndryshon.

Mancuso: «Sigurisht që qytetarët - e kam fjalën për banorët e qyteteve - që në Evropë përfaqësojnë 70-80% të popullsisë, janë thelbësorë. Por shumica dërrmuese e tyre ende nuk e kanë të qartë shkallën e problemit apo faktin se ngrohja globale do të ndryshojë tërësisht qytetet tona dhe se ata do të jenë gjithmonë njerëzit më të dobët, më të brishtë dhe më të varfër. Do të paguajë pasojat. Ngrohja globale është në fakt një problem i madh social”.

Boeri: “Me vëmendje të madhe ndaj çështjeve sociale - gjelbërimi nuk duhet të jetë kurrë një privilegj për disa - Fondacioni do të krijojë projekte pilot për pyllëzimin urban dhe do të punojë në koordinimin e projekteve të ndryshme ekzistuese (si Forestami) për të përmirësuar njohuritë, shkëmbimin e përvojat, aftësitë studimore; por gjithmonë në një mënyrë gjithëpërfshirëse, tërheqëse”.

A është krijuar Fondacioni për të ardhmen e qyteteve?

Mancuso: «Fondacioni filloi në Firence dhe do të ketë disa zyra të specializuara. Milano, bazuar në përvojën e Forestamit, do të jetë kryesori për çështjen e ripyllëzimit urban. Ndërsa në Firence do të ndiqen të gjitha ato tema në lidhje me kërkimin. Ne do të duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që gjithçka që prodhohet në kuadër të Fondacionit për zhvillimin e qyteteve të bëhet më pas një bazë mbi të cilën do të ndërtohet edukimi mjedisor, si për qytetarët, por edhe për administratorët dhe për të gjithë ata që më pas do të duhet të marrin vendime”.

Boeri: “Fryma e Fondacionit është të jetë në dispozicion të të gjithëve: administratave, teknikëve, qytetarëve dhe atyre që kujdesen për çështjen e pyllëzimit në qytetet tona. Kjo do të thotë rrjetëzim, ofrim zgjidhjesh për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë grupeve të popullsisë që jetojnë në qytetet italiane dhe e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është gjelbërimi urban”.