Lajme nga Bota

Kjo familje do të çojë në gjyq Google për hartën që sipas tyre çoi në aksidentin e babait

Kjo familje do të çojë në gjyq Google për hartën

Google është paditur nga familja e një burri nga Karolina e Veriut duke pretenduar se aplikacioni Maps i kompanisë vitin e kaluar e drejtoi atë drejt një ure të shembur. Si pasojë Philip Paxson u rrëzua nga 20 metra lartësi duke gjetur vdekjen.

Ai po ndiqte udhëzimet e Google Maps teksa udhëtonte për në shtëpi natën vonë. Ishte shtator i 2022-shit. Kthehej nga festa e ditëlindjes së 9-të, të vajzës së tij, kur sistemi i navigimit e udhëzoi atë të kalonte mbi një urë pa barriera kufizuese dhe të nxjerrë jashtë funksionit për shkak të shembjes që kishte pësuar vite më parë.

“Paxson kaloi në urën Hickory, në Karolinën e Veriut dhe u mbyt”, shkruhet në padi.

“Vajzat e mia e kaluan ditën e parë të babait pa babanë e tyre. Ato duhet të kishin festuar dhe kaluar kohë me Philip, i cili ia kushtoi jetën familjes së tij. Në vend të kësaj, ato e kishin bosh karrigen e babait të tyre.

Ato më pyesin se si dhe pse vdiq babai i tyre dhe unë s`kam fjalë. Askush nuk duhet të humbasë një të dashur në këtë mënyrë. Ashtu si shumë shoferë të automjeteve, Philip i besoi Google Maps për ta udhëhequr të sigurt në rrugën drejt shtëpisë”, thotë bashkëshortja e tij.

Google ka reaguar më një deklaratë ngushëlluese ndaj familjes së të ndjerit dhe shkruan se qëllimi është të ofrojë informacion të saktë të rrugëve në harta. Ata shkruajnë gjithashtu se po e shqyrtojnë padinë.