Lajme nga Bota

Italiani ndërroi jetë në aksident! Gjykata i jep shpërblim gruas dhe të dashurës

Italiani ndërroi jetë në aksident! Gjykata i jep shpërblim

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Itali. Pas vdekjes së një burri në një aksident automobilistik, gjykata i ka akorduar gjysmën e shpërblimit të kompanisë së sigurimit bashkëshortes të të ndjerit, dhe gjysmën tjetër... të dashurës së tij.

“La Stampa” raporton se 39-vjeçari që jetonte në Torino, ku përveç gruas dhe një djali të mitur ndante jetën edhe me një femër tjetër me të cilën kishte marrëdhënie jashtëmartesore. Kur në vitin 2020 ai ndërroi jetë në një aksident, bashkëshortja e tij ndodhej jashtë vendit dhe për pasojë u desh e dashura që të identifikonte trupin. Pas këtij akti ajo i ka kërkuar gjykatës një pjesë të shpërbimit duke argumentuar se kishte lidhje të forta me të ndjerin dhe se planet e saj për të ardhmen u cënuan nga vdekja e parakohshme e tij.

“Ajo kishte një lidhje të veçantë me të ndjerin dhe ata kishin bërë plane të përbashkëta për jetën. Ata kishin ndjenja të forta dhe madje bashkëjetonin disa ditë në javë”- ka thënë avokati i së dashurës, Xhino Arnone.

Vetë ajo ka komentuar anonimisht “Tre ditë në javë ai jetonte me mua, katër ditë me familjen”.

Gjykata ja ka njohur këto argumente dhe ka vlerësuar se shpërblimi (nuk njoftohet shuma monetare) do të ndahet në mënyrë të barabartë mes bashkëshortes dhe lidhjes jashtëmartesore të të ndjerit.

Tiranapost.al