Lajme nga Bota

Finlanda dhe Estonia kërkojnë ndalimin e vizave turistike nga BE për rusët 

Finlanda dhe Estonia kërkojnë ndalimin e vizave turistike nga BE

Udhëheqëset e Estonisë dhe Finlandës kanë kërkuar nga vendet e tjera të BE-së që të ndalojnë lëshimin e vizave turistike për qytetarët rusë, duke argumentuar se ata nuk duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë në Evropë me pushime ndërsa Kremlini po kryen një luftë shkatërruese në Ukrainë.

Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas deklaroi se "të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore" dhe se "është koha për t'i dhënë fund turizmit nga Rusia".

Si përgjigje, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e krahasoi Kallas me një "naziste".

Një ditë më parë, homologja e saj finlandeze Sanna Marin tha në një intervistë televizive se "nuk është e drejtë që ndërsa Rusia po bën një luftë aggresive dhe brutale në Ukrainë, rusët të mund të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, të jenë turistë".

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto ka deklaruar së fundmi se qeveria do të kufizonte numrin e vizave turistike të lëshuara për rusët, por shpresonte se BE do të mbante një qëndrim të përbashkët për këtë çështje dhe do të ndalonte plotësisht dhënien e vizave të reja.