Lajme nga Bota

Çfarë na kujtoi Ukraina! Aleatët janë si puna e shokëve që zgjedhim të rrimë!

Çfarë na kujtoi Ukraina! Aleatët janë si puna e

Në Lushnje në takimin me të rinjtë Ditmir Bushati duke folur për Ukrainën, kujtoi se është rasti që na kujton sesa rëndësi ka politika e jashtme, dhe se aleatët që zgjedhim janë si puna e shoqërisë, shokët që zgjedhim të rrimë, kafenetë dhe restorantet që zgjedhim të shkojmë, librat që lexojmë, deri të filmat që zgjedhim në Netflix tregojnë çfarë jemi. Ukraina na kujtoi sesa rëndësi ka identiteti europian, tha Bushati.

Të plotë lexo më poshtë:

"Është kënaqësi për mua të jem sot këtu me Kryeministrin, me Damianin dhe Belindën në Lushnje, një qytet i cili është i veçantë për mua edhe për faktin se më lidhin kujtimet e fëmijërisë qoftë me shkollën “Skënder Libohova” apo me “Foto Pukën” që një pjesë prej jush jam i bindur që kanë dalë nga ato shkolla, dhe është një qytet gjithashtu shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe për botën shqiptare në përgjithësi. Dhe kur po diskutonim për organizimin e këtij takimi nuk besoj se ka vend më simbolik sesa sheshi këtu para muzeut dhe simbolizon sigurisht Kongresin e Lushnjes i cili hodhi hapat e para të institucioneve moderne shqiptare, të një kulture politike moderne, e cila për arsye historike, ju e dini u ndërpre më pas dhe është ai Kongres dhe ai moment historik i cili gjithashtu konsolidoi përpjekjet e Shqipërisë për të qenë një vend apo një shtet sovran dhe i pavarur. Dhe në këtë drejtim historia e Shqipërisë dhe historia e popullit shqiptar është shumë e lidhur me Lushnjen prandaj secili prej jush duhet të ndjehet krenar që është nga Lushnja.

Lushnja është gjithashtu epiqendra e Myzeqesë dhe natyrisht është edhe shumë e lidhur me punën, dhe sepse është hambari i Shqipërisë, i prodhimeve shqiptare, është kampionia në të gjithë hapësirën e territorit të Shqipërisë përsa i përket eksporteve dhe natyrisht është kjo arsyeja pse qeveria shqiptare, PS e vlerëson punën, e vlerëson djersën, e vlerëson punën e ndershme, ka pasur gjithmonë një vëmendje të posaçme për Lushnjen dhe është shumë e rëndësishme që këtu unë të bëj një konkluzion të dytë dhe t’i them secilit prej jush që përveçse e keni derën të hapur në PS duhet ta konsideroni këtë si një punë, si një punë në shërbim të komunitetit, në shërbim të familjeve, në shërbim të mëhallës, në shërbim të Lushnjes dhe pse jo në shërbim të Shqipërisë.

E them këtë sepse ne shpesh gjurmojmë talentet dhe kjo është arsyeja pse ne duam që të kemi një komunikim dhe një bashkëveprim sa më të hapur jo thjesht me secilin prej jush që s’diskutohet e ka ndarë mendjen që edhe në 6 do të votojë për Eriseldën dhe do të jetë pjesë e PS, por dëshira është që të merrni shokë dhe shoqe me vete për ta bërë PS, për ta bërë familjen tonë politike më të pasur përsa i përket vlerave, më demokratike, më dinjitoze dhe padiskutim pararojë të zhvillimeve të së ardhmes.

Në botën që jetojmë ne është krejtësisht e natyrshme që të ketë një mungesë besimi te politika. Është bota dixhitale, deri dje ne kishim ide, debate nga më të ndryshmet. Deri dje ne në fakt na ndanin opinionet, sot duket që ne kemi debate dhe mbi faktet. Ka shumë të pavërteta, ka shumë fake news-e, nuk dihet më hierarkia e të vërtetës e të pavërtetës e kështu me radhë. Dhe është krejt e natyrshme që edhe besimi te politika të bjerë. Është gjithashtu krejt e natyrshme që kur flasim për mungesë besimi të politikës të barazohet me mungesë besimi te politikanët, që shpesh të duket vetja se je në një profesion të papërshtatshëm, pra të duket vetja se je ose gangster, ose i korruptuar, ose i inkriminuar, ose mashtrues e kështu me radhë.

Thirrja ime është që të keni sa më shumë besim te politika, se politika është një mundësi që ju t’ju bëjë bashkë për të kërkuar diçka më shumë nga ajo që keni sot. Gjithashtu ju bën bashkë në një sprovë për të dhënë më shumë nga ajo sa ju mund të jepni sot.

Eriselda është rasti tipik e cila e përshkoi rrugëtimin e saj, derisa vjen në një moment, si një profesioniste, si një vajzë e Lushnjes, si një bashkëshorte dhe nënë e cila ka vendosur ta ndërtojë karrierën e saj këtu në Lushnje dhe derisa vjen një moment kur do të jetë e para e Lushnjes. E para e Lushnjes përsa i përket të drejtave dhe përgjegjësive dhe e para e Lushnjes për të çuar përpara punët të cilat do duhet të çohen për Lushnjën.

Prandaj unë them duke marrë rastet e suksesshme si puna e Eriseldës secili prej jush duhet ta ketë stimul për të filluar dhe për të menduar për zgjedhjet e radhës që po vijnë. Për Këshillin Bashkiak, për përgjegjësi të reja në funksion të Lushnjes dhe pse jo për të pasuruar familjen tonë politike.

Gjëja e fundit që unë dua të ndaj sot me ju, i nxitur jo vetëm nga ngjarjet e aktualitetit, por edhe nga solidariteti që secili prej jush në xhaketat e juaja po tregon me Ukrainën dhe jam i bindur që kjo është ide e Taulantit për shkak të ndjeshmërisë që Taulanti ka përgjithësisht për çështjet e politikës së jashtme, dhe e kam menduar, e kam menduar e rimenduar shumë gjatë këto ditë me veten dhe besoj se secili prej nesh duhet të nxjerrë disa konkluzione të thjeshta.

Së pari, ajo që po ndodh në Ukrainë, ndonëse duket sikur është larg nesh duke qenë se ne nuk jemi në një brez kufitar me ta besoj se ka forcuar identitetin tonë europian.

Së dyti mendoj që ka dëshmuar edhe njëherë tjetër drejtësinë e qëndrimeve të qeverisë shqiptare, të shtetit shqiptar në raport me disa elementë të rëndësishëm që duket sikur janë çështje të politikës së jashtme, por në fakt impaktojnë këto punët tona të brendshme: përditshmërinë tonë, stilin tonë të jetesës, mënyra se si ne i zgjedhim aleatët që është si puna e shoqërisë, pra me çfarë shoqërie ne duam që të rrimë, në çfarë kafenesh apo restorantesh ne preferojmë të shkojmë, cilat libra ne preferojmë të lexojmë, cilat filma duam të shohim në Netflix pavarësisht sugjerimeve.

Dhe është detyra dhe përgjegjësia jonë që ne të fillojmë e të kuptojmë që qoftë elementet e sigurisë, qoftë përkatësia jonë europiane nuk janë çështje të cilat mund t’i marrim të mirëqena njëherë e përgjithmonë. Duhet të vazhdojmë të luftojmë edhe më fort për to, duhet të fillojmë të kemi një besim edhe më të madh për vendin që përfaqësojmë, sado që është një vend i vogël.

Duhet që të fillojmë e të rrisim një kulturë të re politike, edhe me kundërshtarët tanë që edhe për ata çështje që mund të konsiderohen të paimagjinueshme që mund të duan të na kritikojnë apo të na “shajnë” etj, etj, ne duhet të fillojmë të ndërtojmë një kulturë tjetër, një kulturë bashkëpunimi për ta forcuar gjithmonë e më tej këtë indin tonë europian sepse jam i bindur që vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë e ka mundësinë, e ka dëshirën, e ka vullnetin, i ka kapacitetet për ta çuar Shqipërinë më shpejt aty ku e meriton, në Bashkimin Europian."