Lajme nga Bota

“Ekrani blu i vdekjes”. Çfarë e shkaktoi kaosin global

“Ekrani blu i vdekjes”. Çfarë e shkaktoi kaosin global

Të premten në mëngjes bota u zgjua në kaos për shkak të një problemi kompjuterik që paralizoi sistemet e komunikimit të aeroporteve, bankave, mediave dhe çdo platforme që përdor pajisje Microsoft. Gjigandi global i IT-së raportoi se vuri në zbatim “masa zbutëse”, që nuk do të thotë se janë gjetur zgjidhje, por se sistemet e urgjencës janë vënë në funksion për të anashkaluar problemin teksa pritej një zgjidhje përfundimtare. Problemi themelor mund të ketë lindur për shkak të softuerit antivirus i krijuar nga palë të treta, prodhuar nga Crowdstrike, i cili nisi një përditësim gjatë natës, që megjithatë, për arsye që mbeten për t’u verifikuar, shkoi keq, duke shkaktuar daljen jashtë funksioni të sistemeve të Microsoft.

Ekspertët raportuan këtë si shkakun kryesor, i cili është edhe baza e të ashtuquajturit “ekrani blu i vdekjes”, ekrani blu tipik që shfaqet kur ka një problem të rëndë të sistemit, i cili nuk mund të anashkalohet në asnjë mënyrë. Megjithatë, ekspertët nuk janë ende të sigurt se problemet e Crowdstrike dhe ato të Microsoft janë të lidhura drejtpërdrejt dhe nuk mund të përjashtohet, edhe nëse mundësitë janë të pakta, që këto janë dy probleme shoqëruese, por jo të lidhura drejtpërdrejt. Sipas transmetuesit britanik Sky News, në një mesazh telefonik të regjistruar, Crowdstrike thotë se është në dijeni të problemeve në sistemin operativ Windows të Microsoft-it në lidhje me sensorin e tij Falcon.

Ndërkohë problemet pasojnë njëra-tjetrën dhe akumulohen. Në spitalet amerikane dosjet mjekësore të pacientëve u bllokuan dhe nuk mund të konsultoheshin nga mjekët, ndërsa në Gjermani dy spitale bllokuan operacionet për të njëjtën arsye. Sistemi i transportit ajror ishte në vështirësi serioze, me shumë aeroporte të mbyllura për trafikun ajror. Në Evropë, ato që vuajtën më shumë pasoja ishin Berlini dhe Amsterdami, të cilët janë gjithashtu dy nga aerportet më të rëndësishme për tregtinë ndërkontinentale.

Kompania KLM vendosi të ndalojë të gjithë avionët e saj ndërsa Delta dhe American Airlines kanë raportuar probleme serioze. Aeroporti Narita në Japoni gjithashtu pati ndërprerje.