Lajme nga Bota

Efikasiteti i vaksinës kineze bën që BE të rikonsiderojë strategjinë e saj

Efikasiteti i vaksinës kineze bën që BE të

Në 20 nëntor 2020, Pfizer BioNTech dha lajmin e shumëpritur, zhvillimin e suksesshëm të një vaksine kundër Covid-19. Vaksina u licensua përmes një procedure urgjente për përdorim masiv në 11 dhjetor.Kanë kaluar tre muaj dhe optimizmi fillestar është venitur, të paktën në Europë.Bashkimi Europian parashikonte që të ishte në gjendje të niste vaksinimin masiv që në janar dhe të krijonte një imunitet tufe që në pranverë.Aktualisht, vetëm 5.5% e 447 milionë qytetarëve të BE-së ka marrë dozën e parë të një prej tre vaksinave të licensuara, Pfizer, Astra Zeneca apo Moderna. Më pak se 1% janë plotësisht të imunizuar me dy doza.

Ndërkohë, çdo ditë bëhet gjithmonë e më e qartë se tre prodhuesit e licensuar mungojnë kapacitetet për të prodhuar shpejt në një masë të tillë që mund të sigurojë një imunizim të shpejtë të vendeve europiane.Me ritmet aktuale, në BE do të nevojitet më shumë se një vit për të vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë.Përballë një situate të tillë, lista e vendeve europiane që po negociojnë personalisht me prodhues të tjerë është duke u zgjeruar ditë pas dite.

Pas deklaratës së shkurtit nga Kancelarja Merkel, që mirëpriti mundësinë e vaksinave kineze, Austria, Danimarka, Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe të tjerë kanë nisur ose po negociojnë marrjen e dozave të Sinopharm dhe Sinovac, dy prodhuesit kinezë që kanë aktualisht pothuajse 1 miliardë doza vaksine porosi në prodhim e sipër.Vaksinat kineze fillimisht u panë me skepticizëm në Europë, edhe sepse ndryshe nga Pfizer, Moderna dhe Astra Zeneca e Oksfordit, ato nuk ndoqën të njëjtin protokoll standart të licensimit për përdorim në masë.Sinopharm doli në treg me vlerësimin se garantonte 79% mbrojtje nga infektimi dhe edhe më shumë përsa i përket parandalimit të rasteve të rënda.Të dhënat e pavarura të vaksinimit në Emiratet e Bashkuara Arabe tregojnë se në fakt kjo vaksinë ka një efikasitet prej 86%, edhe më të lartë nga sa ishte parashikuar prej vetë firmës. Rezultate të ngjashme janë edhe ato të Sinovac.

Kjo do të thotë se vaksinat kineze kanë një efikasitet edhe më të lartë se dy vaksinat e tjera në treg, Moderna dhe Astra Zeneca, si dhe kanë përparësinë e madhe që mund të prodhohen shpejt dhe në masë.Kjo edhe sepse ndryshe nga Pfizer, që përdor një vaksinë që depërton në AND e virusit, vaksinat kineze përdorin të njëjtën metodë tradicionale që përdoret prej dekadash në zhvillimin e vaksinës së tuberkulozit, tetanozit, hepatitit, poliomelitit, etj, atë të virusit të paaktivizuar, pra një virus i dobësuar që nuk është në gjendje të bëjë dëme, por lejon trupin ta njohë dhe të zhvillojë imunitetin e tij.

Deri në 28 shkurt, vaksina kineze po përdoret me sukses për vaksinimin në masë të popullatës në të paktën 25 vende të botës, përfshi Hungarinë, Serbinë, Turqinë në Europë, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë, Bahreinin, Kinën në Azi, si dhe Brazil apo Kili në Amerikën e Jugut.Aktualisht janë 130 milionë doza të porositura nga Indonezia, 100 milionë doza nga Brazili, 60 milionë doza nga Kili, 50 milionë doza nga Turqia, 40 milionë doza nga Egjipti dhe Maroku, 20 milionë doza nga Emiratet, e kështu me radhë.Me kapacitetet prodhuese shumë të mëdha të vaksinës kineze, tashmë edhe vendet europiane po vendosen përpara një dileme serioze.Të presin më shumë se një vit deri sa vaksinat e prodhuara në Europë dhe SHBA të mbulojnë nevojën e BE-së, me koston e miliona jetëve të humbura apo t’i drejtohen Kinës, për të siguruar një vaksinë që mund të shpërndahet shpejt, që është po aq efikase dhe që krijon një imunitet tufe brenda pak muajve të ardhshëm.

Lexo.al/ Tiranapost.al.