Lajme nga Bota

E quajti kriminel, por e mori në telefon për t’i kërkuar rikthim në normalitet! Kremlini tregon versionin e tij të bisedës Biden-Putin

E quajti kriminel, por e mori në telefon për t’i kërkuar

Përpara dy ditësh mediat ndërkombëtare raportuan se Presidenti amerikan Joe Biden mori në telefon homologun e tij rus, Putin për t’i bërë thirrje këtij të fundit që të takohen në një samit me qëllim çtensionimin e situatës në Ukrainë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden përgjatë bisedës i bëri me dije Putin se nuk do të tolerojë asnjë cënim të integritetit territorial të Ukrainës duke e prezantuar kështu atë si potent dhe deri diku të ashpër përkundrejt Kremlinit.

Megjithatë pak më ndryshe e portretizon Moska, Biden-in. Sipas komunikatës të Kremlinit, Biden i ka kërkuar Putin normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe shtim të bashkëpunimit mes dy shteteve për sfidat më të rëndësishme globale për mjedisin dhe armët.

Në komunikatën e Kremlinit nuk thuhej nëse Putin e kishte pranuar këtë propozim të Biden dhe as nëse i është dhënë Shtëpisë së Bardhë përgjigje pozitive në lidhje me samitin për të diskutuar çështjen e Ukrainës.

Kujtojmë se marrëdhëniet bilaterale mes SHBA-ve dhe Rusisë arritën pikën më të ulët pas Luftës së Ftohtë teksa presidenti amerikan e quajti Putin “vrasës”, por edhe për shkak të situatës të tensionuar në Ukrainë dhe arrestimit të Alexei Navalny-t.

Tiranapost.al