Lajme nga Bota

E ëma e Protasevich i bën thirrje Merkel që të ndihmojë me lirimin e të birit

E ëma e Protasevich i bën thirrje Merkel që të ndihmojë

E ëma e gazetarit opozitar bjellorusn Roman Protasevich, i cili prej disa javësh ndodhet i burgosur nga regjimi i Lukashenko-s, i ka bërë thirrje kancelares gjermane Angela Merkel që të ndihmojë në negociatat për lirimin e djalit të saj, që jetonte prej disa kohësh në ekzil në Lituani.

“Ju kërkojmë që të na ndihmoni që të lirohet nga burgu ai dhe të gjithë të pafajshmit. Kemi nevojë për ndihmë të menjëhershme, sepse përballemi me dhunën dhe sadizmin çdo ditë. Çdo ditë që kalon është e shtrenjtë në jetët e pafajshme që humbin.”- ka thënë Natalia Protasevich për gjermanen “Bild”.

Kujtojmë se pas rrëmbimit të gazetarit Protasevich nga avioni i “Ryanair” që ishte nisur nga Athina në Vilnius, BE ka bojkotuar hapësirën ajrore të Bjellorusisë dhe ka shtuar sanksionet kundër regjimit të Lukashenko, të cilit i është dashur të marrë hua 500 milion dollarë nga Rusia për të “mbuluar gropën” financiare që u krijua nga ky konflikt. Protasevich është shfaqur në disa intervista ku pranon akuzat e qeverisë kundër tij, por dukshëm nën presion psikologjik dhe i dhunuar fizikisht, çka nënvizon nevojën e lirimit të tij sa më shpejtë.

Tiranapost.al