Lajme nga Bota

Cilat sanksione do ta dëmtonin më shumë Putinin?

Cilat sanksione do ta dëmtonin më shumë Putinin?

Stephen Kotkin, është profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prinstonit në SHBA, dhe autor i disa librave, përfshirë një biografi me shumë vëllime mbi udhëheqësin sovjetik Josif Stalin. Në një intervistë për Bloomberg, Kotkin flet për planet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, dhe nëse sanksionet ekonomike dhe ato financiare mund ta frenojnë atë.

A u befasuat nga fjalimi agresiv i Putinit ditën e hënën, kur ai e cilësoi Ukrainën si një krijesë sovjetike pa të drejtën e pavarësisë?

Jo. Ai ka mbajtur shumë herë versione të këtij fjalimi. Ai ishte emocional dhe përmbante një numër të madh gjysmë të vërtetash …Ai synonte të merrte lëshimet që dëshiron, pa pasur nevojë të paguante çmimin e një pushtimi në shkallë të gjerë.

Pra, ju mendoni se nuk e dëshironte përballimin e kostos së një lufte të shkallë të gjerë?

Putin nuk e paguan personalisht këtë kosto. Këtë e bëjnë të tjerët: qytetarët ukrainas, ushtarët rusë, konsumatorët rusë. Por është gjithmonë më e lirë t’i marrësh gjërat falas sesa t’i paguash shtrenjtë. Kjo është edhe arsyeja pse po diskutojmë sanksionet.

Unë i shoh sanksionet si një formë lufte financiare, që lejon SHBA-në dhe Evropën Perëndimore të shmangin shpalljen e një lufte tradicionale ushtarake. Por mendoj se ju i shihni ato si kundër-produktive nëse nuk vendosen siç duhet…

Këtu ka disa probleme që duhet të marrin përgjigje. Njëri është, çfarë po përpiqeni të arrini me sanksionet, cilat janë qëllimet tuaja me sanksionet, dhe a janë të arritshme ato synime? Një çështje edhe më e madhe është se kush e paguan koston e sanksioneve?

Ajo që ndodh në pjesën më të madhe me sanksionet ekonomike është se ata që e paguajnë faturën janë qytetarët e thjeshtë. Regjimet nuk paguajnë një kosto serioze… Sanksionet të bëjnë të ndihesh më mirë që po bën diçka. Por a i arrijnë ato qëllimet e ndëshkimit të atij regjimi apo modifikimit të sjelljes së atij regjimi? Këto janë pyetje empirike. Ju duhet t’u përgjigjeni atyre në mënyrë empirike. Këto nuk janë pyetje që mund t’u përgjigjeni në mënyre filozofike.

Si mund t’iu përgjigjeshit ju këtyre pyetjeve?

Unë jam pro sanksioneve, por ato duhet të jenë të zgjuara. Nëse nuk mund të pengosh një sulm, të paktën mund ta ndëshkosh. Mund t’ia fillojmë me sanksionet në sektorin energjitik. Kush e paguan koston? Popullsia evropiane, prodhuesit evropianë.

Aktualisht, evropianët nuk kanë alternativa ndaj gazit dhe naftës ruse në shkallë të mjaftueshme. … Le të ndalemi tek sanksionet, për bankat dhe përjashtimin e rusëve nga SWIFT, sistemi ndërkombëtar i pagesave. Evropianët nuk do ta lejojnë këtë, për shkak se kjo e bën më të vështirë pagesën e naftës dhe gazit rus.

Ju mund të fusni në listën e zezë bankat ruse që nuk bëjnë transaksione me evropianët. Por nëse doni të blini grurë, bakër, paladium, naftë dhe gaz, si do t’i kryeni këto transaksione?

Pra ju mendoni se ndikimi i sanksioneve mund të kthehet në bumerangë tek evropianët dhe SHBA?

Nuk e dimë me siguri, pasi kjo s’ka ndodhur ende, por potencialisht është kështu. Sa më në detaje ta analizoni situatën, aq më shumë do të shihni se sanksionet do të shkaktojnë më shumë dhimbje për Rusinë, por dhe shumë dëme për aleatët dhe partnerët tanë.

Le të flasim pak për sanksionet në fushën e teknologjisë…

Këto janë padyshim më produktivet. Kontrollet e eksportit në teknologji, transferimin e teknologjisë janë shumë problematike sidomos për vendet eksportuese të mallrave që varen plotësisht nga transferimi i teknologjisë. Edhe Kina është plotësisht e varur nga transferimi i teknologjisë. Pra kjo është fusha ku Rusia do të paguante koston më të lartë…Gati çdo pajisje sot ka një softuer të prodhuar nga Amerika. Këtu përfshihet programi hapësinor rus, llogaritjet kuantike, Inteligjenca Artificiale.

Nëse do të ishit në Shtëpinë e Bardhë, cilat sanksione do të zgjidhnit të vendosni?

Siç e thatë do fokusohesha tek kufizimi i eksporteve tek ky vend. Edhe pse për momentin Rusia është më e gatshme të amortizojë dëmet nga sanksionet sesa vendet evropiane. Që nga fundi i vitit 2015, rusët kanë ndërtuar rezervat e katërta më të larta të valutës në botë. Ato janë të paktën 640 miliardë dollarë, një fond që mund të përdoret për kohët e këqija.

Dhe nafta po tregtohet me një çmim gati 100 dollarë për fuçi…

Çmimi minimal i pranueshëm për Rusinë, është rreth 44 dollarë për fuçi. Buxheti i saj është i balancuar, edhe nëse vitin e ardhshëm shet naftë po me këto çmime. Moska është gati të përballojë kosto me të cilat po e kërcënojmë në shumë fusha. Evropa nuk është gati, dhe ne nuk jemi aq gati sa themi se jemi.

Si e shihni sjelljen e Putinit?

Ne nuk e dimë se deri ku do të shkojë me këtë sjellje, dhe as njerëzit e tij. Ne nuk mund të heqim dorë nga parimet e Perëndimit që ne mbrojmë. Ndaj duhet të gjejmë mënyra kreative për t’i dhënë Rusisë një rol në rendin ndërkombëtar. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë do të kemi një shans për modifikimin e sjelljes së tij.

Dhe si do të ishte ky modifikim?

Unë them se Ukraina ka të drejtë t’i bashkohet çdo grupimi apo aleance që dëshiron. Por ne do të detyrohemi të lëshojmë ndaj Rusisë në rastin e aneksimit të paligjshëm të Krimesë. Por në këmbim do t’i themi Rusisë:Ne duam që ju të njihni dhe të largoheni nga pjesa tjetër e territorit të Ukrainës, dhe të garantoni mbrojtjen e sovraniteti ukrainas. E vetmja mënyrë që mund të ndalet Putin është përmes diplomacisë, në një proces negocimi ku të mos heqim dorë nga parimet tona kryesore.

*Ky shkrim u publikua nga Bota.al dhe u ripostua nga Tiranapost.al