Lajme nga Bota

Britani/ Pas humbjes në zgjedhje, nis "lufta civile" në partinë Laburiste

Britani/ Pas humbjes në zgjedhje, nis "lufta civile" në

Partia Laburiste në Britani është përfshirë nga një konflikt i brendshëm, ku grupime të ndryshme ideologjike fajësojnë njëra-tjetrën për humbjen në zgjedhjet rajonale dhe në zgjedhjet për deputet në Hartlepool ditën e enjte. “Viktima” e parë e asaj që po cilësohet në mediat britanike si “Lufta Civile Laburiste”, ka qenë Angela Rayner, nr.2 i partisë që u shkarkua nga kryetari i saj Keir Starmer.

Rayner ishte përfaqësuese e krahut më radikal brenda partisë dhe qëndrimi i saj në qeverinë “në hije” ruante harmoninë mes këtij grupimi dhe grupit centrist të Starmer. Menjëherë pas shkarkimit shumë deputetë laburistë, kryesisht bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-liderit Jeremy Corbyn kanë kritikuar Starmer, disa duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij.

“Keir Starmer tha se do të mbante përgjegjësi për rezultatet zgjedhore dhe tha se do të sillte ndryshim. Si mund të ketë ndryshim kur ai nuk pranon të gjithë krahët në drejtimin e laburistëve”- ka thënë një prej deputetëve laburistë për “The Evening Standard”.

Deputeti John McConnel ka shkruar në Twitter: “Keir Starmer para zgjedhjeve tha do të mbaj përgjegjësi, ndërkohë sot po fajëson gjithë të tjerët përveç vetes për humbjen. Ky nuk është lidership, por një shmangie prej frikacaku nga përballja dhe përgjegjësia”.

Nga ana e tyre, grupimi centrist që përqafon politikat e Tony Blair, është kundërpërgjigjur duke thënë se humbja ishte pasojë e shkatërrimit të imazhit që iu shkaktua laburistëve nga radikalizmi i Jeremy Corbyn. Një këshilltar i afërt i Starmer tha anonimisht për “The Daily Mail”: “Fakti se nuk po pshurrim më në pishinë, nuk do të thotë se njerëzit janë gati të hidhen me kokë brenda. Shikoni historinë e zgjedhjeve të fundit... humbje, humbje, humbje, Blair, Blair, Blair, humbje, humbje, humbje, humbje. Epo kjo nuk mund të rregullohet me dy vite, radikalët duhet të kenë dinjitetin të heshtin dhe të lejojnë këtë parti të bëhet e zgjedhshme dhe të fitojë besimin e klasës punëtore sërish”.

Kujtojmë se humbja ka shkaktuar kaq shumë reagime për shkak se Laburistët janë mundur në zona që kanë qenë historikisht bastione të tyret dhe përveç Londrës, tashmë thuajse e gjithë Anglia është ngjyrosur me blunë e konservatorëve.

Tiranapost.al