Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka thënë se qëndrimi i bllokut evropian është i qartë se të dielën në Banjskë të Zveçanit u krye sulm terrorist.
Stano në konferencë për media ka thënë se BE-ja po i pret të kryhen hetimet e plota, para se të marrë ndonjë masë.
“Dua ta përsëris qartë pozitën e Bashkimit Evropian për atë që ndodhi të dielën. Ky ishte sulm terrorist dhe ai duhet të hetohet, e përgjegjësitë duhet të sillen para drejtësisë. Të gjithë që janë të përfshirë apo që mund të përfshihen, janë të obliguar të bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurohet që ky sulm të hetohet plotësisht dhe ata që e kanë planifikuar, që e kanë ekzekutuar apo që ishin prapa të sillen para drejtësisë”, ka thënë Stano.
Ndër të tjera, ai u shpreh se nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët.
“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë (Josep Borrell) më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha ai.