Lajme nga Bota

BE për deklaratat e Kurtit: Nuk i komentojmë akuzat e pabaza

BE për deklaratat e Kurtit: Nuk i komentojmë akuzat e pabaza

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cilësoi të pabaza akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se ky i fundit ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të bllokut.

Kurti më 18 shtator deklaroi në Prishtinë se gjatë takimit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – Lajçak ishte “pozicionuar” kundër Kosovës.

Kryeministri kosovar tha se gjatë këtij takimi – që përfundoi pa një rezultat – dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë [Josep Borrell]. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre”, tha ai.