Lajme nga Bota

BE do blejë edhe vaksinën anti-Covid të ‘Moderna’-s!

BE do blejë edhe vaksinën anti-Covid të ‘Moderna’-s!

Bashkimi Europian zgjodhi që të blejë edhe vaksinën e “Moderna”-s, e cila ishte e para që njoftoi se siguron 95% mbrojtje ndaj Covid, ndërsa më pas të njëjtën rezultat tha edhe Pfizer, për vaksinën e zhvilluar prej tij. Lajmi u dha në një deklaratë për mediat nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila njoftoi nesër do të nënshkruhet një kontratë me kompaninë amerikane “Moderna” për furnizimin deri në 160 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19, kontrata e gjashtë e BE-së me një laborator farmaceutik.

“Jam e lumtur të njoftoj se do të nënshkruajmë nesër një kontratë të re për të siguruar një vaksinë tjetër kundër COVID-19”, deklaroi Von der Leyen, në një konferencë shtypi. Nesër do të aprovojmë një kontratë të 6-të për deri në 160 milionë doza të Moderna. Ne jemi duke ndërtuar një nga portofolat më të plotë të vaksinave COVID-19. Vaksinat e sigurta dhe efektive mund të na ndihmojnë t’i japim fund pandemisë”, shkroi Von Der Leyen në “Twitter”.

Ajo përmendi gjithashtu edhe një kontratë të shtatë të vaksinës në të ardhmen, pa dhënë shumë detaje. Vaksina e ‘Moderna’-s pritet të kushtojë nga 25-37 dollarë.