Lajme nga Bota

BE duhet të shpëtojë sa më parë nga gazi e nafta! Çfarë propozohet dhe kritikat për presidenten e KE

BE duhet të shpëtojë sa më parë nga gazi e nafta!

Brukseli po nxitet nga një sërë vendesh të BE-së që të gjenden mënyra të shpejta për të lehtësuar krizën e gazit në kontinent, në një kohë kur çmimet janë rritur në nivele rekord për shkak të krizës së furnizimit.
Disa udhëheqës europianë kanë kritikuar Komisionin Europian se nuk është përgjigjur shpejt ndaj kësaj situate emergjente, duke paralajmëruar se çmimet e larta mund të rrezikojnë rimëkëmbjen ekonomike të kontinentit e po ashtu trazira të mundshme sociale, me protesta.

Të paktën tre prej liderëve përdorën mbledhjen e anëtarëve të BE-së në Slloveni duke i kërkuar Komisionit Europian të gjejë masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve dhe për të parandaluar një situatë të ngjashme.

"Komisioni duhet të veprojë menjëherë", tha një politikan i lartë i BE -së në intervistën për Financial Times ku shton se në të kundërt mund të ketë pasoja të mëdha: “Në të kundërt, minohet marrëveshja e Gjelbër. Çmimet e larta të energjisë do të shkaktojnë edhe protesta, gjithashtu do të ketë varfërim në aspektin e furnizimit me energji, kudo”. Ai kujtoi protestat franceze kundër rritjes së çmimit të karburantit në vitin 2018.

Franca, Spanja, Republika Çeke, Greqia dhe Rumania bënë thirrje publike për politika të menjëhershme si dhe koordinim të përgjigjeve kombëtare.

Vende të tjera, përfshirë Gjermaninë dhe shtetet e tjera veriore kanë paralajmëruar kundër nxitimit të ndryshimeve në tregun e energjisë të BE -së. Ata thonë se rritja e çmimeve po nxitet kryesisht nga rritja e kërkesës. Ata gjithashtu nuk duan që kriza të prishë politikat ambicioze të bllokut mbi Klimën, për të cilat shtetet anëtare po negociojnë.

Në takimin e djeshëm ku u diskutua për krizën u tha se çmimi rekord i karbonit kishte krijuar pothuajse 11 miliardë euro në të ardhura shtesë për qeveritë në nëntë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin 2020. Dhe pothuajse të gjitha të ardhurat shkojnë në buxhetet e shteteve anëtare të BE dhe mund të përdoren për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve.

Ndërkaq, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se ndërsa rritja e çmimit të gazit është një çështje serioze, ajo është edhe dëshmi e mëtejshme që BE duhet të të mbështesë politikën për energjinë e rinovueshme.

“Në këto javët e fundit, po e shohin sa thelbësore është pavarësia nga gazi, nafta apo qymyri. Prodhuesit e gazit nuk po rrisin prodhimin pavarësisht kërkesës së lartë dhe kjo ka çuar në dyfishim të çmimit. Ndërsa çmimi i energjisë së rinovueshme mbetet i qëndrueshëm. Për Bashkimin Europian është jetike pavarësia nga gazi dhe nafta. Unë mendoj se ne duhet të jemi shumë të qartë se çmimet e gazit po rriten. Por burimet e ripërtëritshme, çmimet kanë rënë gjatë viteve të fundit dhe janë të qëndrueshme. Pra, për ne është shumë e qartë se me energjinë në planin afatgjatë është e rëndësishme të investojmë në energji të rinovueshme që na jep çmime të qëndrueshme dhe më shumë pavarësi sepse 90% e gazit importohet në Bashkimin Evropian ".

Çdo përgjigje e përbashkët e BE-së e tillë si rritja e kapacitetit të magazinimit dhe ndërtimi i rezervave strategjike të gazit-ka të ngjarë të adresojë shqetësimet afatmesme dhe afatgjata në vend të ngërçit të menjëhershëm të furnizimit.

*Artikulli i Financial Times, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.