Adoleshentja ruse do bëjë burg se kritikoi në rrjete sociale luftën ruse në Ukrainë

Olesya Krivtsova ka një tatuazh anti-Putin në njërin kyç të këmbës dhe po aty një byzylyk që gjurmon çdo lëvizje të saj.
E reja nga rajoni Arkhangelsk i Rusisë duhet ta mbajë pajisjen përsa kohë do jetë në arrest shtëpie, pasi është akuzuar për postimet në mediat sociale ku kritikon luftën ruse në Ukrainë.
Zyrtarët rusë e kanë shtuar Krivtsova-n në listën e terroristëve dhe ekstremistëve, në të njëjtin nivel me ata të ISIS-s, Al Kaedën dhe Talibanët.
Krivtsova është studente, por që për momentin nuk po mundet t`i vazhdojë studimet.
Aktualisht, Krivtsova po qëndron në arrest shtëpie, në apartamentin e nënës së saj në Severodvinsk dhe i është ndaluar çdo formë komunikimi online.
“Rasti i Olesya nuk është i pari, as i fundit”, tha për CNN Alexei Kichin, avokati i Krivtsova.
Monitoruesi i pavarur i të drejtave të njeriut OVD-Info tha se të paktën 61 raste të tilla janë ndjekur në Rusi, në vitin 2022 me akuzat e justifikimit të terrorizmit në internet. 26 persona janë dënuar.
Nëna e Olesyas, Natalya Krivtsova, thotë se qeveria po përpiqet t'i japë një paralajmërim publikut, me vajzën e saj, pra ta bëjë kokë turku.