Lajme nga Bota

A dështoi samiti Biden-Putin? SHBA-të i kërkojnë Rusisë të tërheqë nga ambasada 24 diplomatë

A dështoi samiti Biden-Putin? SHBA-të i kërkojnë Rusisë

Ndonëse samiti i Gjenevës mes presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin nuk prodhuan asnjë marrëveshje historike apo deklaratë të përbashkët, dy liderët deklaruan se kishin rënë dakord në parim që t’i jepnin fund dëbimeve të pafundme të diplomatëve që kishte agravuar marrëdhëniet bilaterale për vite me rradhë.

Megjithatë, ditën e sotme ambasadori rus në Washington ka thënë për “Reuters” se SHBA i ka kërkuar që 24 diplomatë të misionit të tij të mos rinovohen në post dhe të rikthehen në Rusi pas viza e tyre të skadojë në datën 3 shtator.

Ambasadori Anatoly Antonov nuk ka thënë nëse kërkesa e SHBA-ve lindi si pasojë e ndonjë përplasjeje apo dyshimi konkret në lidhje me këta individë, por vendimi ka ngritur pikëpyetje të mëdha në lidhje me vullnetin politik të administratës Biden për të normalizuar marrëdhëniet me Moskën.

“Pothuajse që të gjithë ata që do të largohen nuk mund të zëvendësohen për shkak të shtimit të rregullave për marrjen e vizës diplomatike”- ka thënë Antonov - “Shpresojmë që logjika do të mbizotërojë dhe ne do të mund të normalizojmë jetën e diplomatëve rusë dhe diplomatë në të dy vendet, në respekt të parimit të reciprocitetit”- ka shtuar ai.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë reaguar për të konfirmuar, mohuar apo për të dhënë arsyet e dëbimit të 24 diplomatëve rusë, më pak se dy muaj pas zotimit të Biden për të ndalur këtë praktikë.

Tiranapost.al