Vritet një 67-vjeçar në Fier, në serën ku punonte si roje

Një 67-vjeçar i identifikuar si Petraq Gjika është gjetur i pajetë mëngjesin e sotëm. Trupi i 67-vjeçarit u gjet jashtë godinës së një sere në Mbrostar Ura ku punonte si roje.
Sipas kqyrjes paraprake, vdekja ka ndodhur si pasojë e goditjes me thikë.
Viktima është vëllai i kryeplakut të zonës.
Nga dyshimet e para mendohet se kjo ngjarje mund të lidhet me një plagosje, po me thikë, që Gjikës i ka ndodhur në 2018-ën, nga një person i paidentifikuar në atë kohë.
Policia është vënë në kërkim të autorit.
Njoftimi i policisë:
Sot rreth orës 06:40, në fshatin Mbrostar Ura, Fier, në afërsi të serave është gjetur pa shënja jete (dyshohet i vrarë me mjet prerës), shtetasi P. Gj., 67 vjeç, banues në Daullas, i cili ka qënë i punësuar roje te serat.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje.