Kronikë e zezë

I dha fund jetës duke u vetëvarur brenda Komisariatit, babai: Polici qensh, e akuzuan për një derë alumini

I dha fund jetës duke u vetëvarur brenda Komisariatit, babai: Polici

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Komisariatin e Policisë së Kavajës. Një i ri, i cili sapo ishte arrestuar nga uniformat blu, i ka dhënë fund jetës në ambientet e paraburgimit.

Sipas informacioneve paraprake, 31 vjecari Ilvi Meta ishte ndaluar rreth orës 15:50 të ditës së sotme, pasi dyshohej se ishte përfshirë në një vjedhje, por vetëm pak orë më vonë ai është vetëvarur në ambientet e komisariatit.

Nga informacionet e para dyshohet se i riu ka varur veten me lidhësen e këpucëve. Grupi i dhomës së paraburgimit ka tentuar të japë ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur pasi i riu kishte ndërruar jetë.

Policia e Kavajës në informacionin zyrtar për ngjarjen thotë se, “i riu është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit”.

“Shtetasi I. M., 31 vjeç, është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes,” bën të ditur Policia.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës Florenc Panganika dhe një grup ekspertësh të SHÇBA kanë shkuar drejt Drejtorisë së Policisë së Kavajës, për të hetuar ngjarjen.

Pak pas ngjarjes së rëndë ka reaguar babai i të riut të vetëvrarë. Agim Meta, në një prononcim për “TCH” shprehet se djalin e akuzuan për vjedhjen e një dere alumini.

“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite bënë kontroll në shtëpi, edhe thanë do ta sjell, s’ka gjë s’ka gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë Agim ik tek shpia se ka ndodh diçka. Kur shkova në shtëpi gjeta gruan, vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë, qoftë policia, kryeministri Edi Rama që mos e bëfshin pikën e hajrit. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion. S’më kanë thënë asgjë, do ta zbardh këtë gjë”, tha babai.

Në lidhje me ngjarjen po hetohet dhe përgjegjësia e punonjësve të policisë në detyrë në dhomat e ndalimit që ishin këtë të mërkurë.

Ndërkohë, në një deklaratë të orëve të mbrëmjes, Policia e Shtetit bën të ditur se në lidhje me hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë është ngritur një grup i posacëm hetimor me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano dhe se Policia e Shtetit nuk bën pjesë duke qenë se efektivë të saj janë po ashtu pjesë e këtij hetimi.

Reagim i Policisë së Shtetit:

"Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete, shtetasi I. M., i dyshuar si i vetëvarur, i cili ishte ndaluar mesditën e sotme, informojmë se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë.

Veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Policia e Shtetit nuk është pjesë e këtij hetimi.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes."

Burime nga Prokuroria e Kavajës bënë me dije se në trupit e 31-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune.