Kronikë e zezë

Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Don Bosko. Vdes banakierja, plagosen 5 persona, mes tyre një fëmijë

Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Don

Të shtëna me armë zjarri ka pasur disa minuta më parë në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, një grua ka humbur jetën dhe pesë persona janë plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Don Bosko. Viktima dyshohet se është banakierja e lokalit, Mimoza Paja, 60 vjeç. Ndërsa mes të plagosurve, njëri është fëmijë 10 vjeç.

Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës.

Deri tani nuk dihen më shumë detaje mbi të përfshirët dhe shkaqet e ngjarjes.

Cfarë dihet deri tani?

Breshëria e të shtënave ka ardhur nga jashtë lokalit në Don Bosko.

Shënjestër thuhet se ka qenë një prej të plagosurve.

Të plagosurit, mes dhe një fëmijë 10 vjec janë dërguar në spitalin e Traumës.

Fëmija është plagosur në dorë.

Policia ka sekuestruar kamerat e lokalit dhe të bizneseve të zonës përreth.

Emri i pronarit të lokalit, Fatjon Murati, është i njohur për drejtësinë. Ai është shpallur në kërkim dhe pastaj është marrë në pyetje pasi është përmendur në atentatit ndaj Brilant Martinajt, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.