Kronikë e zezë

RENEA arreston 45-vjeçarin që terrorizonte fshatin në Elbasan duke qëlluar me armë

RENEA arreston 45-vjeçarin që terrorizonte fshatin në Elbasan

Pas rreth 12 orësh ndjekjeje dhe negociatash, forcat RENEA arritën që të arrestonte 45-vjeçarin Josif Kavaja, i cili ishte denoncuar nga banorët e zonës në fshatin Zavalinë në Elbasan, pasi qëllonte me armë në ajër disa herë gjatë ditës. Në momentin që policia u afrua pranë shtëpisë së tij pasditen e djeshme, Josif Kavaja qëlloi në drejtim të tyre duke i kërcënuar “do t’ju vras të gjithëve”, para se të arratisej për në pyll, ku kishte humbur gjurmët dhe më pas arriti të kthehej sërish në shtëpi ku u ngujua.

Operacioni për kapjen e tij rinisi këtë mëngjes, ku forcat RENEA ndërhynë dhe munden ta neutralizonin 45-vjeçarin brenda banesës së tij.

Ai ishte denoncuar disa herë nga banorët e zonës, pasi qëllonte herë pas here me armë në ajër dhe ata ndjeheshin të rrezikuar. Policia i kishte shkuar në shtëpi për kontroll më herët, por nuk i kishte gjetur armë.

I dyshuari, mësohet të jetë person me precedentë penal dhe ishte depërtuar pak kohë më parë nga Anglia. Ai jetonte i vetëm në fshatin Seltë, pasi familja e tij ishte shpërngulur nga aty. Ndërkohë që sipas raportimeve, 45-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.