Nëna shqiptare vret fëmijën dyvjeçar në Spanjë, autopsia zbulon ngjarjen makabre

Një tjetër ngjarje makabre e ndodhur në Spanjë, këtë herë me protagoniste një grua shqiptare që dhunoi për vdekje djalin e saj dy vjeç, ndërsa binjaku i tij përfundoi në spital, ka tronditur opinionin publik.
Mediat spanjolle kanë publikuar autopsinë e trupit të djalit dyvjeçar duke hedhur dritë rreth kësaj ngjarjeje horror. Sipas raportit të autopsisë, i mituri ka lëndime në kokë dhe shenja mbytjeje që janë shkaktuar nga dhuna e ushtruar nga nëna.
Po ashtu sipas mjekëve, janë identifikuar edhe shenja në qafë, për të cilat ka dyshime se fëmija ka pasur asfiksi, hemorragji të brendshme dhe lëndime të ndryshme në kafkë.
Mediat spanjolle e kanë identifikuar gruan shqiptare si Hatixhe Kamxhiu, e cila jetonte në qytetin Bigastro, Alicante. Në deklaratën para policisë, gruaja nuk e ka pranuar vrasjen e djalit të saj, por nga ana tjetër dëshmia e vajzës 8-vjeçare të shqiptares e bën edhe më të rëndë ngjarjen, pasi sipas saj nëna e ka lënë djalin pa ndjenja duke e mbytur me peshqir.
Mediat thonë se dy fëmijët kishin shkuar të takonin nënën e tyre në fundjave, pasi ajo ishte ndarë nga bashkëshorti i cili kishte dhe kujdestarinë e tyre.
Si u manipulua vrasja
Në fillim çështja u trajtua si aksident, por duke parë lëndimet që ishin në trupin e vogëlushit, dëshmitë e shqiptares nuk përputheshin me provat. Ajo kishte deklaruar se fëmija ishte rrëzuar nga karrigia dhe si pasojë e plagëve kishte humbur jetën.
Nëna e të vegjëlve, Hatixhe Kamxhiu, ka telefonuar në numrin e telefonit të urgjencës më 11 qershor nga Bigastro për të paralajmëruar aksidentin e supozuar që kishte pësuar një nga fëmijët e saj, teksa ishte vetëm me ta në shtëpi.
Policia përveç trupit të pajetë të 2-vjeçarit, konstatoi se në shtëpi ndodhej edhe binjaku i tij, i cili gjithashtu kishte shenja dhune.
Fëmija i mbijetuar u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Alicantes, ku u krye një studim i detajuar i dëmtimeve që ai kishte. Hatixhe nuk kishte precedentë penalë, por më parë kishte humbur kujdestarinë e të miturve për shkak të varësisë nga droga.
Dëshmitë tronditëse të fqinjëve
Të gjithë në Bigastro e kujtojnë si një grua të vetmuar me pak miq. “Ajo ishte gjithmonë shumë nervoze, duke qortuar fëmijët e saj për gjithçka”, thotë një fqinj, i cili gjithashtu ka fëmijë të vegjël dhe kujton se Hatixhen e shihte në park me binjakët e saj.
Madje, ka dëshmi që tregojnë se vajza e madhe e Hatixhes tregonte se ajo flinte gjithmonë me njërin prej djemve binjakë, pasi ai ishte “i preferuari” i saj.
“Një ditë i thashë të mos i qortojë kështu fëmijët”, shpjegon një nga fqinjët. “Më tha që natën që të mos bënin zhurmë, i mbështillte fort mes çarçafëve, duke i goditur në trup që të mos lëviznin”, shpjegon ai.
Po ashtu mediat spanjolle shkruajnë se nëna e binjakëve kishte pasur disa marrëdhënie sentimentale që kur mbërriti në qytet, por askush nuk e dinte se kush ishte babai i fëmijëve. Tashmë Hatixhe Kamxhiu është në duart e drejtësisë dhe akuzohet për veprën penale të vrasjes së të miturit dhe lëndimin e vëllait të tij binjak.