Breshëri kallashnikovi drejt Top Channel gjatë natës, vritet roja i sigurisë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate. Rreth orës 01:00 nga një makinë në lëvizje është gjuajtur me breshëri kallashnikovi. Si pasojë ka mbetur i vdekur roja i sigurisë Pal Kola, 60 vjeç.
Fillimisht është dërguar në spital, por nuk u ka mbijetuar plagëve të marra.
Shkaqet e kësaj ngjarje janë ende të paqarta. Policia është vënë në ndjekje të autorëve.
Njoftimi i Policisë
"Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi Pal Kola 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve", ka njoftuar policia.
Sulmi është drejtuar tek hyrja kryesore e Top Channel e cila kufizohet me rrugën, por më pak se 200 metra distancë ndodhen studiot ku aktualisht po zhvillohet programi Big Brother Vip që po shkakton dhe shumë protesta.