Kosova

Tjetër sulm ndaj policisë në veri të Mitrovicës, ekspertët: Serbia po provokon rëndë

Tjetër sulm ndaj policisë në veri të Mitrovicës,

Një tjetër sulm është raportuar ditën e sotme ndaj policisë në veri të Kosovës. Policia konfirmoi se në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar një njësi patrulluese kufitare në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Eksperti i sigurisë Lulzim Peci i quan sulmet e përsëritura vazhdimësi e planeve të Serbisë për të provokuar situatën në veri të Kosovës. “Kjo është pjesë e një lufte hibride të cilën Serbia është duke e bërë ndaj Kosovës. Ata janë duke e provokuar situatën në veri, që pastaj të vazhdojnë me hapa të mëtutjeshëm të përshkallëzimit të situatës në këtë pjesë të vendit, pikërisht në këtë kohë kur është duke u bërë presion i madh për rifillimin e negociatave për arritjen e një zgjidhjeje, e cila duhet të jetë e fokusuar në njohjen reciproke. Mendoj se ky është qëllimi kyç i Serbisë”, thotë ai.

Drejtori i Institutit KIPRED, mendon se sulme të tilla nuk do të ndalen derisa Serbia të marrë një mesazh të fortë nga perëndimi se nuk mund të vazhdojë në këtë formë. “Unë shpresoj që nuk do të ketë viktima në njerëz sepse nëse ndodh atëherë ne kalojmë në një dimension tjetër të situatës në veri, për të cilën nuk mund ta parashikoj se çfarë rrjedhe mund të marrë”, thekson ai.

Sulme të ngjashme ndaj policisë në veri të Kosovës kanë ndodhur edhe javët e kaluara.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka cilësuar “sulme terroriste” sulmet e mëparshme në veri të Mitrovicës.