Kosova

Tensioni i shtuar pas 'Targave', Ministria e Jashtme shqiptare thirrje Serbisë: Largo ushtrinë dhe avionët nga Kosova

Tensioni i shtuar pas 'Targave', Ministria e Jashtme shqiptare thirrje

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për situatën e krijuar në Kosovë pas vendosjes së urdhrit për qytetarët e Serbisë të cilët duhet të ndërrojnë targat provizorisht kur hyjnë në territorin e Kosovës, një masë që qytetarët e Kosovës e zbatojnë kur udhëtojnë në Serbi prej më shumë se 10 vitesh.

Nën valën e tensionit dhe protestave nga pala serbe, në Veri të Kosovës disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zvecan. Ministria e Jashtme bën thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe i bën thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën. Ende nuk dihet kush janë personat që ndikuan në përshkallëzimin e situatës, pavarësisht thirrjeve nga BE dhe NATO për dialog mes palëve.

Tensioni i shtuar pas 'Targave', Ministria e Jashtme shqiptare thirrje

Kryeministir Albin Kurti ka treguar se është i gatshëm të heqë masën, nesë presidenti serb vendos të njëjtën.

Reagimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera sot, ku disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zvecan. Asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë.

Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndëkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit.

Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për ç’tensionim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut.

Linku me deklaratën zyrtare këtu.

*Tiranapost.al