Kosova

Stoltenberg i përgjigjet Vuçiç për deklaratën se një shtet i NATO-s po largohet nga Kosova

Stoltenberg i përgjigjet Vuçiç për deklaratën se

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i është përgjigjur komenteve të presidentit serb Alexander Vuçiç që ka pretenduar nga Brukseli se një shtet i madh NATO-s do të kërkojë largimin e misionit paqeruajtës së KFOR-it nga Kosova.

Stoltenberg ka thënë se asnjë vend aleat nuk ka plane për ndryshimin në misionin e NATO-s në Kosovë dhe në rast se do të kishte do të duhej miratimi unanim i aleatëve për çdo ndryshim.

“Nuk ka ndryshime në misionin e NATO-s dhe të 30 aleatët, përfshirë edhe SHBA-në, janë të përkushtuar për misionin e KFOR-it. KFOR-i është atje për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë dhe aleatët janë të përkushtuar. Ky mision është i bazuar qartë në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka ndryshime”- ka thënë Stoltenberg.

Presidenti serb Vuçiç është shprehur i kënaqur me këtë përgjigje dhe ka thënë se deklarata e tij mund të ketë qenë “keqkuptim i thashethemeve nga ana e tij”.

“Bëra më të mirën që të bart mesazhin te Stoltenbergu se Serbia është 100 për qind e përkushtuar për dialog dhe për kërkim të zgjidhjes me kompromis. Shpresoj se të dyja palët do të kemi mjaft fuqi që të arrijmë sukses. Por, të dyja palët, në çdo rast, duhet ta ruajnë paqen”, tha Vuçiç, duke e falënderuar edhe personalisht Stoltenbergun.

Tiranapost.al