Kosova

Pas vendimit të Kushtetueses, Vjosa Osmani fton në takim partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve

Pas vendimit të Kushtetueses, Vjosa Osmani fton në takim partitë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për rrëzimin e qeverisë, presidentja në Detyrë, Vjosa Osmani ka ftuar në takim partitë politike për konsultim rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Pas këtij takimi pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka nxjerr një aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë sipas Kushtetutës vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.