Kosova

Sulmohet me granata policia e Kosovës në pikën kufitare, në veri

Sulmohet me granata policia e Kosovës në pikën kufitare, në

Pika kufitare e Kosovës, në veri, është sulmuar me granata dore dhe breshëri plumbash. Lajmin e ka dhënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla e konsideron këtë ngjarje një akt terrorist dhe shton se është i katërti i ndodhur ditët e fundit. Megjithatë ministri nuk shkruan asnjë detaj mbi dyshimet për agresorët.

“Në veri rreth orës 7 e 20 ka ndodh një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të zyrtarëve policorë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë. Sulmi parë ka ndodh, apo tentim sulmi duke vendos iriqa metalik në rrugën nacionale, në kohë përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm, që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës. Sulmi i dytë ka ndodh me gurë. Sulmi i tretë ka ndodh mbramë, ku është gjuajtur me armë zjarri dhe sot siç thash edhe më herët drejtpërdrejt janë godit dy veturat që transportonin zyrtarët policorë”, ka deklaruar Sveçla.

Drejtori i Policisë bëri me dije se dyshimet paraprake janë që sulmi ka ardhur nga territori serb.

“Dyshohet se sulmi ka ardhur nga 200-300 metra dhe dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë. Të gjitha patrullat tona policore janë të përbëra nga komunitete të ndryshme ndaj edhe në veturat që janë sulmuar ka pasur policë shqiptarë, por edhe serbë”, deklaroi Mehmeti.