Kosova

Nuk nënçmojmë dialogun me Serbinë, por Kosova ka tri prioritete para!

Nuk nënçmojmë dialogun me Serbinë, por Kosova ka tri

Bisedimet Kosovë-Serbi nuk do të shmangen me qeverin e re të Albin Kurtit por nuk do të jenë prioritare. Në intervistën për Zërin e Amerikës, kreu i Vetëvendojes thotë se qeveria e tij që pritet të formohet në ditët në vijim, ka tre prioritete para procesit të dialogut: Drejtësia, punësimi dhe pandemia!

Ndërsa i pyetur nëse me të në krye situata me Serbinë mund të ndërlikohet, siç thonë kritikët, Albin Kurti përgjigjet duke thënë se nuk mund të ketë një subjekt politik më pro perendimor, më demokrat, më të thellë në mendim në kuadër të orientimit perendimor euroatlantik dhe evropian.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti sapo i përmendëm aleancat dhe orientimin tuaj natyrisht drejt Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një nga sfidat që juve ju pret edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare është ajo e bisedimeve me Serbinë. Ju keni pohuar se nuk është përparësi për ju, por aleatët kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë thirrje që të shndërrohen në përparësi. Si do të veproni ju?

Albin Kurti: Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë COVID-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se cfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë, unë do të mund ta bëjë le të themi një koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet. Pra, nuk dua ta nënçmoj por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti. Kur kemi parasysh që zgjedhjet u mbajtën me 14 shkurt, pra në vigjilje të 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne jemi të bindur që këto janë ditët kur duhet të flasim shumë më tepër për pavarësinë sesa për Serbinë.

Zëri i Amerikës: Por, pavarësia vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj, ndërkaq vazhdon të mbështetet fuqishëm nga aleatët e Kosovës siç janë Shtetet e Bashkuara. Ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Biden që bënë thirrje që të vazhdohet me bisedimet me Serbinë, përfundimi i të cilave do të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. A ndikon kjo?

Albin Kurti: Ajo ishte një letër shumë e mirë dërguar presidentit të Serbisë. Ne kemi shumë besim te administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Joe Biden është njohës i mirë i historisë së Ballkanit, ka përvojë të madhe politike dhe diplomatike, edhe me familjen e tij ai ka lidhje të fuqishme me Kosovën dhe unë dua që të punoj shumë ngusht me presidentin Biden. Jam optimist se dialogu i ardhshëm me Serbinë do të jetë transformues për nga natyra, jo transaksional siç është provuar në të kaluarën. Gjithashtu mendoj se do t’i vjen radha edhe dialogut. Ne do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetëm më duhet ta theksoj se shteti i Kosovës është bukur i dobët, duhet ta forcojmë shtetin dhe edhe dialogu ecën shumë më mirë pastaj. Nuk po them që nuk e kemi parasysh, por duhet vënë theksin drejtësisë dhe punësimit sepse shteti i pavarur i Kosovës kur është shpallur i tillë, 13 vjet më parë, ka qenë evidente se nuk do të njihet nga Serbia dhe do të kundërshtohet nga Serbia, pra ne nuk e kemi shpallur pavarësinë duke besuar që do të na njohë Serbia. Andaj, kjo është një betejë e vazhdueshme politike ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë kryesor.

Zëri i Amerikës: A keni drojë se, siç thonë kritikët, fitorja juaj dhe qëndrimet tuaja mund të ndërlikojnë jo vetëm synimet e perendimit për ta zgjidhur çështjen midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj?

Albin Kurti: Absolutisht jo. Nuk mund të gjeni një subjekt politik më pro perendimor, më demokrat, më të thellë në mendim gjithnjë në kuadër të orientimit perendimor euroatlantik dhe evropian.

Zëri i Amerikës: Si e shihni ju megjithatë, kurdo që ndodhë, epilogun e bisedimeve me Serbinë? A keni drojë nga ringjallja e ideve të vjetra të cilat ju i keni kundërshtuar fuqishëm?

Albin Kurti: Idetë e vjetra janë ide të vjetra, me kalimin e kohës vjetërsia shtohet, pra, idetë e vjetra bëhen edhe më të vjetra dhe nuk besoj që do të mund të shndërrohen në projekte të reja. Projektet e vjetra kanë dështuar dhe nuk kemi nevojë për rigjenerim të tyre.

*Tiranapost.al.