Kosova

Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet në pikat kufitare

Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet në

Ditën e sotme nisi zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet. Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla konfirmoi se nuk po lëshohen dokumentet për hyrje-daljet në kufi.

“Në pikë kalimet kufitare në Merdar, Bërnjak, Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë është ndërprerë lëshimi i dokumentit për hyrje/dalje nga ana e autoriteteve të Serbisë. Edhe një sukses në shtrimin e sundimit të ligjit dhe Kushtetutshmërisë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe mbrojtjen e interesave të shtetasve tanë karshi Serbisë”, shprehet ai në një postim në Facebook.

Të shtunën e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për lëvizjen e lirshme të qytetarëve. Tani qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre.

Ndërkohë është ende e pazgjidhur çështja e targave. Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Ndërsa Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.