Kosova

Politikanë europianë e amerikanë kërkojnë ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë

Politikanë europianë e amerikanë kërkojnë ndryshim

Disa ligjvënës e politikanë nga vendet e ndryshme euro-perëndimore shprehën shqetësimin me politikat aktuale të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar kundruall marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në një letër të nënshkruar nga dhjetë kryetarë komisionesh për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, kërkohet një diplomaci parandaluese, e baraspeshuar dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës.

“Qasja aktuale nuk funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohet që të mos miratojmë një politikë ku Beogradi është qendër për Ballkanin”, thuhet në letër, në të cilën nënvizohet se Kosova është përballur me pasoja pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

“Kosova duhet të bashkërendohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e trysnisë ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e tensioneve”, thuhet në letrën e nënshkruar edhe nga shefi i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës Oleksandr Merezhko. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në letër thuhet se përqendrimi i diplomacisë perëndimore duhet të mbetet në normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën e vazhdueshme euro-atlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën dhe se trazirat e fundit kërkojnë që të gjitha palët të ripërqendrohen në shtensionim dhe parandalim.

“Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përtej kufirit Serbi-Kosovë nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimeve të mëtejshme”, theksohet në letër në të cilën theksohet se Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale dhe ky fakt duhet të jetë baza e politikës euro-atlantike ndaj krizës aktuale.

“Përpjekjet për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje e huaj me masa të prekshme për ta mbajtur përgjegjëse nëse vazhdon të dëmtojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e zgjedhjeve të ardhshme me pjesëmarrje të plotë nga të gjitha komunitetet e pranishme në komunat veriore”, thuhet në letër.

Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja, përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticionit që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Policia e Kosovës tashmë ka përgjysmuar forcat në veri pasi qeveria e Kosovës tha më 11 korrik se është pajtuar për një gjë të tillë dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Pajtimi u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Autoritetet në Kosovë i kanë kërkuar faktorit ndërkombëtarë që të parandalojnë ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në veri të Kosovës, ndërhyrje këto që sipas tyre, shpeshherë kanë përfunduar me dhunë e frikësim të qyetarëve të asaj pjese.

Ligjvënësit dhe politikanët europerëndimorë thonë se duhet të ushtrohet diplomaci parandaluese, ndërsa dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të japë rezultate pozitive dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet./vOA

Politikanë europianë e amerikanë kërkojnë ndryshim

Politikanë europianë e amerikanë kërkojnë ndryshim