Kosova

LDK ende pa kandidat për kryeministër, Hoti: Nuk e kemi diskutuar

LDK ende pa kandidat për kryeministër, Hoti: Nuk e kemi diskutuar

Vetëm një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës nominoi Enver Hoxhajn si kandidatin e saj postin e kryeministrit. Ndërkohë sot kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka diskutuar për kandidatin për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen së shpejti.

Në një deklaratë për mediat Hoti u shpreh se kjo çështje do të mbyllet në ditët e ardhshme.

“Ende nuk e kemi diskutuar këtë çështje me strukturat tona të partisë, besoj që në ditët e ardhshme do të përmbyllet kjo çështje, shpresoj që edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të bëhet publik dhe më pas do të hyjmë në afate kushtetuese të cilat duhet t’i respektojmë”, tha Hoti.

Kryeministri po ashtu shtoi se organizimi i zgjedhjeve në kohë pandemie do të jetë sfidë.