Kosova

Kurti: Borrell hoqi dorë nga propozimi i BE për targat

Kurti: Borrell hoqi dorë nga propozimi i BE për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, se ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Kurti pas takimit që ka zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, ka thënë se BE-ja ka propozuar që Kosova të mos japë gjoba për targat ilegale e të vazhdojë me qortime e Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.

“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra, po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.