Kosova

Kryeministri Avdullah Hoti reagon për herë të parë pas rrëzimit të qeverisë: Të mos shpërndahet menjëherë Kuvendi

Kryeministri Avdullah Hoti reagon për herë të parë pas

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, flet për herë të parë për gazetarët pas rrëzimit të qeverisë së tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vendit se një prej deputetëve që kishte votuar për qeverinë ishte dënuar për korrupsion. Ai u shpreh se pranon vendimin e Kushtueses mbi të cilën nuk mund të bëjë asnjë koment, por është vetëm në pritje të datës së zgjedhjeve që do të caktohet nga Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani.

“Nuk më takon mua ta komentojë atë çështje. Unë i pranoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa i komentuar fare”, tha Hoti.

Në një konferencë për media, Hoti bëri thirrje që të mos shpërndahet Kuvendi pa u miratuar buxheti për vitin 2021.

“Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë. Është obligim kushtues që të shpallim datën e zgjedhjeve brenda afatit kushtues. Ne do t’i kryejmë obligimet tona. Do të jemi në krye të detyrës për tu marrë me obligimet qe i kemi karshi qytetarëve të vendit. Për të cilët kemi treguar rezultate të mira. Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021”, tha Hoti.

I pyetur nëse do të kandidojë sërish për kryeministër, Hoti tha se ende nuk ka një përgjigje pasi priten diskutime brenda partisë:

“Sigurisht do të diskutojmë brenda strukturave të partisë, për të marrë një vendim. Por, jemi në pozicion të mirë, duke pasur një bagazh të punëve të mira që i kemi bërë”.

Lidhur me koalicionin LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me të cilin u arrit të zgjidhej si kryeministër, Hoti u shpreh:

“Koalicioni ‘ska funksionuar perfekt po mirë, ka pasur mjaft çështje të brendshme, sfida. Por që ka dhënë rezultat, duke filluar nga politika ndërkombëtare tek menaxhimi i pandemisë, dhe duke promovuar një qeverisje qytetare, civilizuese”.

Të hënën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se përbërja e kabinetit qeveritar s’i kishte marrë votat e nevojshme, pasi që ky organ e cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit të dënuar me burgim, Etem Arifi.