Kryebashkiaku i Prishtinës fton ish rivalin të drejtojë shëndetesinë

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar ish-kandidatin e Vetëvendosjes, Arben Vitia, që t’i bashkohet ekipit të tij në pozitën e drejtorit komunal të shëndetësisë.
Rama ka marrë të martën zyrtarisht postin e kryetarit, por ende nuk ka konfirmuar drejtorët.
Ai në T7 ka thënë se do të ndërtojë një ekip profesionistësh dhe jo ekip politik.
“100% e sinqertë. E kam thënë edhe gjatë kampanjës. E thashë edhe dje. Ideja është që të krijojmë një ekip profesionistësh me njerëz profesional që mund të dërgojnë çështjet përpara. Kë është ekip profesional jo politik. Punët që na presin duhet të jenë të shtyra nga njerëz profesionistë”, ka thënë Rama.
Ndërkaq u shpreh se ka një javë që ka thirrur Vitinë në takim, por nuk ka marrë përgjigje.
“I kam kërkuar që të takohemi dhe të bëjmë bisedë por nuk kam marrë përgjigje. Para 7 ditëve. I kam kërkuar takim që të bisedoj se a ka ekip që mund të kryejnë punën në aspektin profesional dhe menaxherial. Duke marrë parasysh edhe zotin Vitia që të drejtojë drejtoratin e Shëndetësisë”, shtoi ai.
Tiranapost.al