Kosova

Kosovë/ Tensione mes deputetëve të PDK me ministrat e Vetëvendosjes! Ndërpritet seanca parlamentare

Kosovë/ Tensione mes deputetëve të PDK me ministrat e

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, janë përplasur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Incidentit i parapriu një debat i ashpër në mes të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri si dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në fjalën e tij, deputeti Tahiri e quajti ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.

Këto akuza, Tahiri i bëri duke iu referuar një deklarate që Gërvalla e kishte dhënë në media vite më parë sa u takon Dhomave të Specializuara të Kosovës si dhe ish-krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët i kishte quajtur njerëz të krimit.

Replikat mes deputetit Tahiri dhe ministres Gërvalla shkaktuan fyerje dhe ofendime në mes të deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Duke mos u pajtuar me udhëheqjen e seancës nga nënkryetarja e kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetët e PDK-së u larguan nga salla.

Në momentin e largimit, deputetët Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati u fjalosën me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Në këtë fjalosje u përfshi edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Salih Zybën dhe Besim Muzaqin.

Para se të fillonte incidenti, seancën e lëshuan edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ju ndërpre fjala shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashit.

Në seancën e 6 majit ishte planifikuar që të shqyrtoheshin rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Marrë nga "Radio Europa e Lirë"/ tiranapost.al