Kosova

Kosova shpall gjendje emergjence për energjinë elektrike

Kosova shpall gjendje emergjence për energjinë elektrike
Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjence për energjinë elektrike. Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan vendimin me 68 vota pro, asnjë kundër e abstenim.

“Qeveria e Kosovës merr vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, e shtyrë nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit”, thuhej në njoftimin e qeverisë.

Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 ditë.

Ky vendim do të përfshijë masa mbështetëse në mënyrë që qytetarët të sigurojnë ngrohjen gjatë dimrit, ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për prodhimin e kriptovalutave, mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik dhe masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.