Kosova

Hashim Thaçi pas Hagës: Dua t`ju siguroj se do dal i pastër me ju dhe për ju

Hashim Thaçi pas Hagës: Dua t`ju siguroj se do dal i pastër me

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur sot për herë të parë pas katër ditëve të Hagës, ku u mor në pyetje si i akuzuar për krime lufte.

Në deklaratën e tij Thaçi duke folur për intervistimin tha se: "Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi. Për shkaqe etike dhe të kufizimeve ligjore nuk mund të hyj në detaje konkrete të këtij ballafaqimi. Por, nga ana tjetër nuk mund të mos ndaj asgjë me ju.

Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush!”.

"Sonte dua të përsëris se për mua Kosova është gjithmonë e para. Kur isha djalë i ri isha të jepja jetën për të, sot që jam prind jam gati të mos lejoj që ta shkatërrojnë me akuzat për mua dhe bashkëluftëtarët e mi.

Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë.

Kosova ka nevojë për dialog mes forcave politike.

Dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës. Ju më keni dhënë dhe besuar gjithçka që mund t`i jepet një njeriu në atdheun e tij nga populli i vendit të tij. Për ndërtimin e Kosovës Europiane. Përulem me respekt për besimin tuaj. Nuk isha i përkryer, por gjithmnë jam munduar të bëj më të mirën për atdheun tim dhe për ju. Dua t`ju përqafoj të gjithëve dhe t`ju shtrëngoj dorën secilit nga ju dhe t`ju siguroj secilit se do dal me çdo qelizë timen të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju", tha Thaçi në fjalën e tij.