Kosova

Hapet procesi gjyqësor ndaj ish drejtuesve të Veteranëve të UÇK-së

Hapet procesi gjyqësor ndaj ish drejtuesve të Veteranëve të

Sot në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë u hap procesi ndaj ish drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Të dy akuzohen për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës".

Ata u arrestuan më 25 shtator të vitit të kaluar, pasi në tri raste gjatë atij muaji Organizata e Veteranëve të Luftës tha se kishte marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria tha të enjten se “Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u organizuan në bashkërendim për shpërndarjen e paautorizuar të informacionit të besueshëm dhe jo publik, duke marrë një vendim nëse ose se si të shpërndahen, duke organizuar dhe duke marr pjesë në konferencat për shtyp dhe paraqitje publike ku informacioni i besueshëm dhe jo publik është përhapur dhe diskutuar publikisht”.

Prokuroria tha se me këto veprime, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë shkelur fshehtësinë e procedurës dhe frikësuar dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si rrjedhojë, penguan punën dhe hetimet e kësaj prokurorie. Gucati dhe Haradinaj ritheksuan sot se ndjehen të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura kundër tyre.

Aktualisht në Hagë tashmë ndodhen edhe ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe dy ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Që të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 15 shtator u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj zotti Mustafa, i cili akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Artikulli origjinal nga VOA.

*Tiranapost.al.