Kosova

Haga i refuzon Thaçit kërkesën për t’u gjykuar në gjendje të lirë

Haga i refuzon Thaçit kërkesën për t’u gjykuar

Ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është refuzuar kërkesa për t’u gjykuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në Slloveni, nga Gjykata Speciale e Hagës.

Thaçi, i cili akuzohet në Gjykatën Speciale të Hagës për “krime kundër njerëzimit” e kishte depozituar kërkesën prej disa kohësh, por gjyqtari francez Guilou i cili ishte ngarkuar me shqyrtimin e dosjes nuk e ka menduar të arsyeshme lirimin e Thaçit dhe ka urdhëruar vazhdimin e qëndrimit të tij në paraburgim.

Sipas vendimit, ish-presidenti i Kosovës dhe kryeministri në kohën e shpalljes së pavarësisë ka të drejtë ta apelojë vendimin për rishqyrtim deri në datën 31 gusht.

Kujtojmë se Thaçi ndodhet në bankën e të akuzuarit së bashku me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqit.

Sipas aktakuzës, katër individët e lartpërmendur dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Haga i refuzon Thaçit kërkesën për t’u gjykuarVendimi i Gjykatës Speciale së Hagës

Tiranapost.al