Kosova

BE thirrje Kosovës: Të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në veri, situata duhet të qetësohet!

BE thirrje Kosovës: Të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme

Bashkimi Europian ka kërkuar që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative:

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.

Në deklaratën e Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë dhe kërkohet nga Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna ka mundur të evitohet, dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, thuhet në deklaratë.

“Ne ftojmë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë që, menjëherë dhe pa kushte, të ndërmarrin masa për qetësuar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga secili veprim tjetër i pakoordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, protesta u përshkallëzua në dhunë mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.