Kosova

Albin Kurti reagon për herë të parë për vrasjen e Klodianit dhe protestat: Ata në pushtet politik, biznesor dhe mediatik duhet ta kenë kuptuar mesazhin

Albin Kurti reagon për herë të parë për vrasjen e

Albin Kurti i lexon protestat në Tiranë për vrasjen e Klodian Rashës si faktin kur preket fundi. Duke bërë një paralele me Kosovën, ai thotë se dhe atje nuk po shpërthejnë revoltat se ka një fije shpresë, të cilën e lidhë me Vetëvendosjen që ai drejton dhe shpresën për t’u rikthyer në pushtet me afrimin e zgjedhjeve. Për Tiranën dhe Shqipërinë, Kurti thotë se çdo gjë tashmë ka prekur fundin dhe e sqaron në një status të cilin thotë se ka marrë kohë për ta shkruar.

Postimi i plotë:

Ngushëllime familjes e shoqërisë, dhe mbarë të rinjve shqiptarë, për Klodian Rashën, 25 vjeçarin të cilit ia morën jetën në rrugicën pranë shtëpisë së tij.
I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve.
Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.
Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve.
Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje.
Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet.
Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.
Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë.