Albin Kurti: Komunikoj çdo ditë me ambasadorin amerikan, por mos prisni të pajtohem për gjithçka
Në një intervistë orët e fundit, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka përforcuar edhe njëherë qëndrimin e tij për çështjen e veriut të Kosovës.
Pas situatës së tensionuar në veriun e Kosovës për shkak të zgjedhjeve lokale dhe protestave të qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën në ato zona, Kurti shprehet se komunikimin e ka të përditshëm me ndërkombëtarët, por është i vendosur në qëndrimin e tij për të future në komuna kryetarët e rinj të zgjedhur.
“Komunikimin me Ambasadorin Amerikan e kam të përditshëm. Takimet me të janë së paku të përjavshme. Po mos prisni prej meje si kryeministër i Republikës që të pajtohem tërë kohën për gjithçka. Njeriu nuk është identik as me vetveten, sepse ç`ka mendon sot, nuk është e thënë që e mendon pas një muaji. A e kuptoni? Njeriu ka edhe vetë dilema. Kritika në shoqëri është e shëndoshë. Mirëpo duhet ta duash këtë vend shumë. Dhe dashnia për këtë vend kurrë s`ka qenë më e qartë sesa tani që duhet të matet me luftimin e këtyre grupeve fashiste”, tha Kurti për KTV.