Kosova

Akuzat për krime lufte/ Avokati i Thaçit dhe Veselit kërkojnë liri me kusht: Nuk pranojmë burgosjen! Të bëhet ndarja mes të akuzuarve

Akuzat për krime lufte/ Avokati i Thaçit dhe Veselit

Gjykatësi i Gjykatës Speciale në Hagë, Nicolas Guilloi, u kujtoi avokatëve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, David Hooper dhe Ben Emmerson, që duhet të dorëzojnë një aplikim për lirimin me kusht të ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Hagës pretendoi se ka siguruar mbi 1500 prova në gjyq dhe 153 dëshmitarë për të vërtetuar sipas tyre 10 akuzat e ngritura për krime lufte ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar një material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizual, teksa, për disa dëshmitarë dhe viktima kanë kërkuar masa mbrojtëse.

Avokati i ish-presidentit Thaçi nga ana tjetër është shprehur se kanë mbi 200 dëshmitarë. Të gjithë kanë kërkuar që gjykimi të mos nisë para verës së 2022. Megjithatë, Gjykatësi Guillou nuk ka përcaktuar datën për nisjen e procesit gjyqësor.

Po ashtu avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Hopper ka deklaruar se do të kërkojë lirimin me kusht të klientit të tij, si dhe ka kërkuar që të ndahen të akuzuarit. Kjo kërkesë e avokatit duket se është një strategji për rrëzimin që në fillim të një prej akuzave më të rënda, atë për "ndërmarrje e përbashkët kriminale".

"Nuk pranojmë burgosjen e Thaçit. Është synimi ynë të aplikojmë për lirimin e tij me kusht. Mënyrat sesi do të realizohet ky ushtrim. Nxjerrja e plotë e argumenteve sa u takon urdhër-arrestit. Unë kam marrë versionin e redaktuar të urdhër-arrestit. Dhe ka disa redaktimi të çuditshme. Synojmë të njëjtën skemë për çdo të akuzuar, të bëhet ndarja e të akuzuarve", tha avokati Hooper.

Seanca e ardhshme ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së është caktuar të mbahet në mes të muajit dhjetor.

“Është e nevojshme të dorëzoni një aplikim, nuk është se e kemi mbyllur derën për këtë, por më duket se në bazë të kornizës ligjore, duhet të bëni kërkesë për lirim me kusht që të vijojmë me këtë proces”, tha Nicolas Guilloi.

Kujtojmë që aktualisht ish-presidenti i Kosovës si dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë.

Aktualisht, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm. Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.